18.5 C
Tirana
07 / 03 / 2026

Gara për “fronin fetar” ndez përplasje brenda regjimit iranian, kush do të jetë udhëheqësi i ri?

Teherani mbetet ende pa një udhëheqës të Lartë pas vdekjes së Ali Khamenei-t.

Emri i pasuesit po shtyhet, ndërsa burime pranë mediave iraniane opozitare paralajmërojnë se vendimi mund të shpallet në orët e ardhshme. 4 ditë më parë, nga Asambleja e Ekspertëve, godina e së cilës u dëmtua nga sulmet, u përmend si kandidati kryesor Mojtaba Khamenei.

56 vjeçari ishte djali i preferuar i liderit të ndjerë.

Të enjten, 88 klerikët u mblodhën në një video-konferencë për të shmangur rreziqet dhe për të ratifikuar formalish vendimin, por rezultati mbeti i paqartë.

Sipas Iran International, të paktën tetë anëtarë të Asamblesë bojkotuan seancën e emergjencës, duke denoncuar presionin e fortë të Gardës Revolucionare për të imponuar Mojtaba-n. Thuhet se deri pak minuta para votimit, Gardistët telefononin vazhdimisht për të influencuar zgjedhjen.

Gara është fiktive dhe ka ndarë regjimin: nga njëra anë, djali i Ayatollah-ut, mbështetur nga pasdaranët besnikë, komandanti i IRGC-së Ahmad Vahidi, ish-shefi i inteligjencës Hossein Taeb dhe presidenti i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, dhe nga ana tjetër, klerikët që kritikojnë nepotizmin.

Revolucioni Islamik u quajt “Republikë” nga Khomeini, duke shmangur trashëgiminë e fronit dinastik.

Por tani, sipas mediave opozitare, klerikët rebelë paralajmërojnë se emërimi i Mojtaba Khamenei-t do ta kthente Teheranin në një monarki nën autoritetin fetar.

Burime nga Reuters konfirmojnë se që nga fillimi i luftës, Gardistët kanë marrë më shumë pushtet dhe ndikim në çdo vendim të rëndësishëm. Një anëtar i Asamblesë tha se Ali Khamenei nuk ishte dakord që djali i tij të merrte postin dhe kurrë nuk lejoi diskutimin e kësaj çështjeje gjatë jetës së tij.

Mojtaba “nuk ka autoritet klerikal apo juridik”, shtuan ata, duke kërkuar një votim të ri dhe të pastër.

Pas vdekjes së Ali Khamenei-t, presidenti iranian Masoud Pezeshkian kishte paralajmëruar se brenda disa ditësh Republika Islamike do të kishte Udhëheqës të ri Suprem.

Gardistët e Revolucionit po nxisin emërimin e një personi të besuar, që do të zbatojë pa rezervë agjendën ultrakonservatore dhe do të konsolidojë pushtetin politik dhe ekonomik që ata kanë, rreth një të tretën e ekonomisë së vendit, mes naftës dhe bizneseve të errëta. Arsyeja zyrtare është se, për shkak të “situatës së veçantë” të luftës, udhëheqësi i ri duhet të shpallet sa më shpejt.

Përveç Mojtaba Khamenei-t, përmenden edhe kandidatë të tjerë: Alireza Arafi, nënkryetar i Asamblesë së Ekspertëve, ish-presidenti “riformist” Hassan Rouhani dhe Hassan Khomeini, nipi i themeluesit Ruhollah Khomeini.

Megjithatë, një pikë duket se bashkon të gjitha fraksionet e regjimit: emri i liderit të ri do të vendoset brenda Teheranit, jo nga Donald Trump, i cili, duke mos njohur mirë vendin, mund të mendojë gabimisht se mund të imponojë pasuesin e ardhshëm.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x