15.5 C
Tirana
20 / 10 / 2025

Gara për drejtimin e SPAK-ut, KLP miraton listën me katër kandidaturat

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar këtë të hënë, më 20 tetor, me 10 vota pro, katër kandidaturat për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mbledhja nisi në orën 10:00 për të vlerësuar nëse katër prokurorët që kanë shprehur interes i plotësojnë kriteret ligjore për këtë pozicion. Vendimi u mor në mungesë të prokurorit Zeqir Hodajt, i cili dha sqarime për shkrimet në media që raportonin se është në konfikt interesi pasi djali i tij është zgjedhur si hetues financiar në SPAK. Hodaj u largua nga mbledhja e sotme, duke thënë që ka nevojë për kohë por kërkoi që vendimi të mos merrej pa të.

“Unë nuk gjendem në kushtet e heqjes dorë nga kjo situatë, unë kërkojë t’i jepet kohë edhe këshillit edhe vetes për të marrë një vendim në lidhje me këtë situatë. Unë vlerësoj që duhet të largohem nga zhvillimi i seancës për këtë çështje. Edhe pse çështje formale, duhet të largohem nga votimi për të marrë kohën e duhur për një proces të rregullt ligjor.”, tha Hodaj.

Pas Hodajt, foli Sokol Stojani, kryetari i komisionit të zhvillimi të karrierës në KLP. Stojani theksoi se janë 4 kandidatë në garë. Ai tha se këta kandidatë duhet të kenë paraqitur platformën e tyre, dhe të mos këtë masë disiplinore. Kushte që të katër kandidatët i plotësojnë. Ndaj Stojani tha se “ne i propozojmë këshillit miratimin e listës së kandidatëve për të qenë në krye të SPAK”.

Kandidatët Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj janë të gjithë pjesë e strukturës aktuale të SPAK-ut dhe pritet të kalojnë në fazën e intervistimeve publike, një proces i hapur që do të përfshijë vlerësimin e karrierës së tyre, integritetit, aftësive drejtuese dhe vizionit për të ardhmen e institucionit.

Ky proces nis në prag të përfundimit të mandatit trevjeçar të kreut aktual të SPAK, Altin Dumani, i cili largohet më 18 dhjetor. Gjatë drejtimit të tij, SPAK ka qenë në qendër të vëmendjes për hetime të bujshme ndaj zyrtarëve të lartë dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Emrat në garë për drejtimin e këtij institucioni me rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë: Adnan Xholi, Klodian Braho,Doloreza Musabelliu, Ervin Gogaj.

Pas verifikimit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kushteve ligjore, KLP do të zhvillojë intervistat me secilin prej tyre për të përzgjedhur pasuesin e Altin Dumanit në krye të SPAK.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x