13.5 C
Tirana
09 / 12 / 2025

“Fundjavë Ndryshe” në 10-vjetor ose “Kongresi i Bamirësisë së Shqiptarisë”

Në një sallë të mbushur me njerëz të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë dhe jashtë saj, mes figurash të njohura publike nga të gjitha fushat, mes deputetësh, ambasadorësh të përfaqësive diplomatike, klerikësh, përfaqësuesish të institucioneve, vullnetarësh dhe bamirësish, përfaqësues nga të gjitha trevat shqipfolëse, festimi i 10 vjetorit të “Fundjavë Ndryshe” ishte më shumë se një takim ceremonial. Për nga përmasat, pjesëmarrja, kualiteti i fjalimeve, kurimi dhe gjithçka tjetër, ky mund të quhet pa frikë “Kongresi i Bamirësisë së Shqiptarisë”! Ish-Pallati i Kongreseve ka parë shumë kongrese, kryesisht politike, por asnjëherë muret e këtij pallati nuk dëgjuan e panë kaq shumë humanizëm, kaq shumë njerzillëk, kaq shumë dashuri, kaq shumë përkushtim gjer në sakrificë për njerëz në nevojë. As kaq shumë lot mallëngjimi nuk ka parë ky pallat teksa të pranishmit prekën mrekullitë e vullnetarëve të Fundjavës përmes fjalës së vetë protagonistëve-atyre që ky fondacion u ndryshoi të ardhmen, jetën, shpresën.
Një djalë i ri, para 10 vjetësh fare i ri, Arbër Hajdari është ideatori i kësaj nisme.
Fjalimi i Arbër Hajdarit nuk ishte thjesht një akt solemn përvjetori. Ishte rrëfim, ishte dëshmi, ishte falënderim, por mbi të gjitha ishte ripërtëritje e një betimi njerëzor që për dhjetë vite ka ndryshuar jetën e mijëra familjeve në nevojë: misioni i “Fundjavës Ndryshe”.

Ai e nisi fjalën e tij me mirënjohje të thellë për të gjithë të pranishmit, duke theksuar se prania e kryeministrit, deputetëve, ambasadorëve, klerikëve, bamirësve dhe vullnetarëve nuk ishte një formalitet, por një dëshmi konkrete se solidariteti nuk njeh dallime politike, fetare apo shoqërore, kur përballë janë njerëzit në nevojë. “Përballë varfërisë, vuajtjes dhe braktisjes, ne kemi vetëm një përgjegjësi – përgjegjësinë njerëzore”, ishte një nga mesazhet më të forta që përçoi.

Në një rrëfim të ngarkuar me emocione, Arbër Hajdari u ndal gjatë tek vështirësitë e mëdha që ka përjetuar gjatë këtyre dhjetë viteve. Ai foli për familje të shkatërruara nga varfëria, për fëmijë pa bukë, për pleq të harruar, për shtëpi që shembeshin mbi shpresat e njerëzve. “Ka pasur ditë që pesha e dhimbjes ka qenë e padurueshme,” – la të kuptohet ai, – “por asnjëherë nuk kemi pasur të drejtën morale të dorëzohemi.”

Në këtë rrugëtim, sipas tij, “Fundjava Ndryshe” nuk ka qenë kurrë historia e një individi të vetëm. Ajo është ndërtuar mbi supet e mijëra vullnetarëve që ai i quajti pa hezitim “zemra që mbajtën gjallë këtë nismë”. Falënderimi i tij për ta ishte i sinqertë dhe i ngrohtë: të rinj e të reja që lanë komoditetin, kohën personale, familjet dhe jetën e përditshme për t’u shërbyer të tjerëve pa asnjë interes, pa asnjë pritshmëri, veç me një ideal të vetëm – të ndihmonin.

Nuk mungoi falënderimi për anëtarët e Bordit Drejtues ndër vite, për drejtimin me përkushtim, transparencë dhe përgjegjësi të organizatës. “Pa një strukturë të fortë, pa disiplinë dhe ndershmëri, asnjë mision nuk mund të jetë i qëndrueshëm,” theksoi ai, duke e lidhur këtë me ëndrrën e tij të hershme që “Fundjava Ndryshe” të mos mbetej një reagim emocional i përkohshëm, por të shndërrohej në një institucion të mirëfilltë bamirësie dhe solidariteti njerëzor.

Fjala e Hajdarit mori një tjetër dimension kur ai foli për bamirësit – ata që, siç tha ai, “kanë hapur dyer dhe kanë rikthyer buzëqeshje”. Në çdo shtëpi të ndërtuar, në çdo familje të shpëtuar nga skamja, ka një emër të padukshëm pas ndihmës: një bamirës që ka zgjedhur të japë pa bërë zë. “Bamirësia nuk matet me shifra,” tha ai, “por me jetët që ndryshohen”.

Në një vlerësim të veçantë, Arbër Hajdari falënderoi diasporën shqiptare, duke e quajtur “krahun më të fortë dhe pasurinë më të madhe të kombit tonë”. Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit kanë qenë shpesh të parët që kanë reaguar në thirrjet më të vështira, duke treguar se atdheu nuk është vetëm një territor, por një përgjegjësi shpirtërore që të ndjek kudo.

Fjalë mirënjohjeje u drejtuan edhe për Kryeministrin Edi Rama, të cilin ai e falënderoi për mbështetjen dhe për gatishmërinë për të vepruar shpejt dhe drejt në situata emergjente. “Për njerëzit në nevojë nuk ka palë politike,” nënvizoi Hajdari, “ka vetëm përgjegjësi njerëzore.”

Por ndoshta pjesa më prekëse e gjithë fjalimit ishte ajo që ai ua kushtoi familjes së tij. Ai e quajti familjen themelin dhe mbështetjen e pakushtëzuar të gjithë misionit të tij. Falënderoi babain për shembullin jetësor – se njeriu duhet të jetë i dobishëm për të tjerët dhe të mos harrojë kurrë se nderi, karakteri dhe dinjiteti janë pasuria më e madhe që mund të ketë. Nëna, motra dhe vëllai, sipas tij, i kanë dhënë qetësinë dhe forcën për të vazhduar edhe në momentet më të vështira.

Një falënderim i posaçëm, i mbushur me ndjenjë dhe sinqeritet, shkoi për bashkëshorten e tij, Vlerën. Ai foli për mirëkuptimin e saj ndër vite, për sakrificat, për mungesën në gëzime, festa dhe momente familjare për shkak të misionit. “Më ke mbështetur kur jam kthyer i lodhur e i ngarkuar, dhe nuk më ke gjykuar për kohën që nuk kam qenë pranë teje,” tha ai me emocion. “Faleminderit për qetësinë, për forcën dhe për zemrën që ke.”

Në thelb të gjithë këtij rrëfimi qëndronte një ëndërr e madhe, e artikuluar qartë nga vetë Hajdari: “Që ‘Fundjava Ndryshe’ të mos mbetej një nismë e çastit, e lidhur me një emocion të përkohshëm apo me një individ të vetëm, por të kthehej në një institucion të bamirësisë dhe solidaritetit njerëzor, një strukturë e qëndrueshme me sistem, përgjegjësi dhe disiplinë, që të jetojë më gjatë se secili prej nesh.”

Sot, pas dhjetë vitesh, ai u shpreh i lumtur që kjo ëndërr është bërë realitet. “Fakti që jemi sot kaq të fortë dëshmon se shqiptarët kanë një zemër të jashtëzakonshme,” tha ai, duke e cilësuar solidaritetin si pjesë të shpirtit tonë kombëtar. Sipas tij, “Fundjava Ndryshe” është dhe do të mbetet pasuria e shqiptarëve, një mision në shërbim të atyre që kanë nevojë, një shembull i humanizmit dhe dinjitetit të këtij populli.

Në këtë kontekst, fjalët e Nënë Terezës tingëllojnë si një jehonë e natyrshme e kësaj filozofie: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Pikërisht ky parim duket se ka udhëhequr çdo fundjavë ndihme, çdo shtëpi të ndërtuar, çdo familje të shpëtuar nga harresa.

Duke parë përpara, Arbër Hajdari zbuloi edhe projektin e radhës: ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit, një vend ku askush të mos e mbyllë jetën në vetmi. Ai e cilësoi këtë si një detyrim moral, njerëzor dhe kombëtar, në një vend ku shumë të moshuar jetojnë të braktisur.

Në përmbyllje, ai iu rikthye fjalisë që kishte thënë dhjetë vite më parë: “Nëse të gjithë bashkohemi, mund ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë, fundjavë pas fundjave.” Sot, pas një dekade sfidash dhe fitoresh, ai e tha me bindje të plotë se ky popull, kur e thërret zëri i Zotit, i atdheut dhe i vëllazërisë, bëhet një forcë që nuk e ndal dot askush.

“Fundjava Ndryshe lindi nga dashuria për Shqipërinë dhe nga bindja se Zoti na ka dhënë një detyrë të shenjtë – të kujdesemi për njëri-tjetrin,” përfundoi Hajdari. “Kjo është pasuria jonë më e madhe, ky është misioni që na bashkon dhe na forcon shpirtin.”

Me bekimin për vullnetarët, për çdo zemër shqiptari që jep, sakrifikon dhe beson, fjalimi u mbyll mes duartrokitjesh dhe emocionesh të forta. Me një premtim: misioni vazhdon! Dhe bashkë me të, vazhdon edhe shpresa se solidariteti mund të mbetet një nga tiparet më të ndritura të këtij kombi. Arbër Hajdari, më shumë se çdokush, po na sjell shëmbëlltyrën e Shën Terezës!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x