Puthja mes dy burrave në Rusinë e ditëve të sotme mund të konsiderohet lehtësisht një pamje e rrallë, një vatër skandalesh, një turp i madh që ‘s’e ka shokun’.
Por, sovjetikët që e organizonin jetën prapa Perdes së Hekurt, e njihnin mirë këtë pamje. Madje madje, në ato vite vulosja e buzëve mes dy burrave komunistë, mund të konsiderohej edhe si një ndër aktet më të larta që manifestonte më së miri protokollin e lashtë të vëllazërisë socialiste.
Ky ritual ka arritur të nguroset në kohë me ndihmën e fotografëve, të cilët na kanë trashëguar një seri fotosh që duket se janë shkrepur vetëm për të provuar shprehjen se ndonjëherë, heshtja vlen sa njëmijë fjalë. Dhe meqenëse fotot në vetvete janë të heshtura, i shkon për shtat të thuhet edhe se këto foto, vlejnë vërtetë më shumë se njëmijë fjalë.
Është thënë shpesh, se ‘Puthja vëllazërore socialiste’ ishte një shprehje e barazisë – duke përmbysur kështu zakonin e regjimit të lashtë të nënshtetasve të ulët që puthnin duart e fisnikëve (ose këmbët, në Romën apo Persinë e Lashtë).
Një nga puthjet më të famshme në histori ka ndodhur mes 2 burrave dhe jo çdo lloj burrash por gjermano-lindorit Erich Honecker dhe sovjetikut Leonid Brezhnev.
Ngjarja ndodhi gjatë 30 vjetorit të Republikës Demokratike Gjermane në vitin 1979.
Liderët që vendosën fatin e gjysmës së Europës u takuan në formë simbolike para Murit të Berlinit. Leonid Brezhnev ishte ftuar nga përfaqësuesit e pushtetit komunist në Gjermaninë Lindore, Eric Honecker, për të festuar 30 vjetorin e gjysmës komuniste të Gjermanisë.
Pasi u ngjitën së bashku në foltoren zyrtare dhe lideri sovjetik mbajti fjalimin e tij, ai u kthye nga Eric Honecker, e përqafoi dhe më pas, për habinë e gjithë botës dhe kënaqësinë e fotoreporterëve, të dy liderët u puthën me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë.
Momenti është përjetësuar në mënyrë perfekte nga fotografi Regis Bossu.
Por kjo nuk do të ishte e vetmja puthje mes dy burrave komunistë, edhe pse duhet thënë ajo do të mbetej më e famshmja.