
Gjermania dhe Italia do të bien në recesion vitin e ardhshëm, duke u bërë ekonomitë e para të avancuara që do të tkurren, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, është thënë në një parashikim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Recesioni përshkruhet si tkurrje e ciklit të biznesit, dhe për pasojë ka rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik.
Ndonëse Eurozona do t’i ikë recesionit, rritja ekonomike në bllokun me 19 vende anëtare do të jetë vetëm 0.5 për qind – më keq sesa e ka parashikuar organizata ndërkombëtare.
Lufta në lindje të Evropës ka ndikuar në rritje të nivelit të inflacionit dhe rritje globale të çmimeve, duke detyruar Bankën Qendrore Evropiane që të rrisë normat e interesit për të stabilizuar situatën ekonomike.