Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me guidat turistike në kryeqytet, me të cilët theksoi se fluksi i turistëve ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana, ku veçoi zonat më ikonike të saj, si Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës.
“Unë besoj se, të paktën për pjesën e Tiranës qendrore, ia ka vlejtur mundimi dhe bashkëpunimi që kemi pasur. Kur kujtoj që, sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga Bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndierë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë,” tha Veliaj.