17.5 C
Tirana
22 / 06 / 2025

Faktoje.al bën verifikimin e fakteve/ Shpallet Çmimi “Fatos Baxhaku”

Faktoje, e vetmja qendër mediatike e verifikimit të fakteve në Shqipëri, feston javën rajonale të verifikimit të fakteve, e cila nisi me ditën ndërkombëtare të “fact-checking” në 2 Prill. Në kuadër të kësaj jave, Faktoje u angazhua për të vendosur theksin tek rëndësia e verifikimit të fakteve, ndalja e zinxhirit të dizinformimit në rajon si dhe forcimi i gazetarisë fact-checking në Shqipëri.


Në këtë javë të rëndësishme, Faktoje organizoi Konferencën Rajonale që bën bashkë 6 organizata partnere për fact-checking në Ballkanin Perëndimor, pjesë e Rrjetit ADNB.
Prej më shumë se një viti, këto organizata kanë punuar për të identifikuar burimin, narrativat e përdorura dhe mënyrën sesi shpërndahet dizinformimi në Ballkanin Perëndimor, duke u nxitur nga influenca të jashtme malinje.


Gjetjet e kombinuara të 6 organizatave, Faktoje.al, Metamorfoza-Maqedoni, ISAC fund-Serbi, CDT-Mali i Zi, S’bunker-Kosovë, ZastoNe-Bosnje dhe Hercegovinë verifikuan burimin kryesor të dizinformimit të përhapur në Ballkanin Perëndimor.
Rrjeti i shpërndarjes së dizinformimit dhe aktorët kryesorë
Kryesisht rrjeti i dizinformimit në rajon ka burim kryesor Rusinë e cila shpërndan narrativën e saj në Serbi. Kjo e fundit më pas e shpërndan këtë narrativë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndihmuar edhe nga njohja e gjerë e gjuhës serbe në rajon. Në Shqipëri ky ndikim është më i ulët, edhe për shkak të diferencave gjuhësore. Në Shqipëri, rol të madh luajnë tabloidet në gjuhë angleze.


Gjatë këtij viti, Faktoje dhe organizatat partnere identifikuan dhe publikuan gjetjet kryesore për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mbi ndikimin e dizinformimit që buron nga Rusia, Kina, Turqia dhe Irani.
Narrativat që kanë për qëllim përhapjen e dizinformimit përqëndrohen në tema që janë aktuale për rajonin si lufta në Ukrainë dhe propaganda ruse, pandemia Covd-19 dhe procesi i vaksinimit, tensionet e krijuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimi rus në politikbërje, sulmet kibernetike ndaj sistemeve shtetërore në Ballkanin Perëndimor, projekti i Ballkanit të Hapur si projekt rus, si dhe narrativat anti-BE dhe anti-NATO.
Gjatë një viti, ndërmjet 6 organizatave Watch Dog , në këtë projekt janë publikuar:

  • 349 shkrime verifikuese
  • 85 shkrime investigative
  • 2 raporte për monitorimin e medias
  • 1 analizë gjeo-politike e rajonit të Ballkanit Perëndimor

Misioni i Faktoje.al
Krahas ndikimeve të huaja që nxisin dizinformim, në Shqipëri kjo formë e keqinformimit shpesh vjen si produkt i brendshëm. Aktorë kryesorë në prodhimin dhe përhapjen e dizinformimit në vend janë kryesisht partitë politike, zyrtarët shtetërorë dhe mediat online.
Faktoje e përqëndron punën e saj edhe në verifikimin e deklaratave dhe premtimeve të dhëna nga zyrtarët publikë apo politikanët me qëllim rritjen e transparencës dhe nxitjen e llogaridhënies

Përgjatë 12 muajve të fundit, në përmbushje të misionit tonë, kemi verifikuar 285 deklarata dhe 84 premtime të zyratëve të lartë. Nga kategorizimi sipas metodologjisë së Faktometrit rezulton se:
Nga 285 deklarata

  • 20 janë të vërteta
  • 129 janë të pavërteta
  • 31 janë gjysmë të vërteta
  • 105 janë të pa kategorizuara
    Nga 84 premtime
  • 73 janë të pambajtura
  • 11 të mbajtura

Çmimi “Fatos Baxhaku”
Pjesë thelbësore e luftës kundër dizinformimit në rajon, e veçanërisht në Shqipëri, është rritja e kapaciteteve të të rinjve dhe gazetarëve mbi verifikimin e fakteve dhe identifikimin e propagandës në sferën politike dhe sociale. Për këtë arsye, pjesë e rëndësishme e punës së Faktoje është Konkursi Kombëtar për artikujt më të mirë që kanë në bazë zbatimin e metodologjisë fact-checking.
Për të dytin vit rradhazi, Faktoje hapi thirrjen për artikuj që mbështeten në fakte dhe të dhëna të konfirmuara, në kuadër të projektit “Forcimi i gazetarisë Fact-Checking në Shqipëri” që mbështetet nga programi MATRA i Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë se Vendeve të Ulëta.
Çmimi i parë mban emrin e gazetarit të spikatur për integritetin e tij dhe për brumojsen e brezave të gazetarëve të ardhshëm, Fatos Baxhaku.
Juria e përbërë nga gazetarët profesionistë dhe ekspertë: Viola Keta, Erjon Tase, Besar Likmeta dhe Elira Çanga, përzgjodhën 4 shkrimet më të mira ndër 10 artikuj të publikuar në Faktoje.
Çmimi i pare “Fatos Baxhaku”, Esmeralda Keta – A po shkon mbështetja miliona euroshe e agroturizmit tek fermerët?
Çmimi i dyte, Albina Hoxhaj-Yzberishti me 70 mijë banorë, pa shkolla e kopshte publike
Çmimi i trete, Gezim Hilaj – Bicaj, shtëpia e Kulturës apo e takimeve elektorale?
Çmimi i Inkurajimit, Rovena Kallço, – Lavdari i Korçës, fshati turistik apo “fantazmë”?
Transparenca dhe faktet kanë rëndësi jetike në ditët e sotme ndaj rritja e kapaciteteve që nxit mendimin kritik dhe kryerjen e verifikimit të fakteve, koniderohet thelbësore. Organizata Faktoje në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit gjatë këtij viti ka trajnuar rreth 350 studentë të gazetarisë, gazetarë profesionistë dhe koordinatorë për të drejtën e informimit në institucionet shtetërore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x