11.5 C
Tirana
09 / 02 / 2026

Endri Shabani i përgjigjet Andi Bushatit: Jo, nuk kam ndërmend të kërkoj ndjesë

(Katër premisat e gabuara të Andi Bushatit)

Në një editorial në portalin lapsi.al, Andi Bushati ka sugjeruar që nëse në zgjedhjet e 2025-ës Berisha merr më shumë vota se forcat e reja, ne duhet të kërkojmë falje që kemi mbështetur SPAK-un.

Kjo tezë e Bushatit ngrihet mbi katër premisa që duhen zbërthyer. 

E para, Bushati nënkupton se ai që fiton më shumë vota ka të drejtën të mos jetë i barabartë përpara ligjit. Me fjalë të tjera, pavarësisht se çfarë ka bërë Berisha apo Meta, ata duhet të mos japin llogari përpara drejtësisë, sepse janë kryetarë partish. Mos harro që Kodi Penal me të cilin po akuzohen ata është votuar pikërisht nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Pra po ta përkthejmë atë që thotë Bushati nëse votuesit e Berishës vjedhin duhet të shkojnë në burg, por nëse Berisha vjedh ai nuk mund të dënohet, sepse qëndron mbi ligjet që ka votuar vetë.

Në fakt është pikërisht mentaliteti që këta janë mbi ligjin që i mban akoma Berishën në krye të PD-së edhe në moshën 80 vjeçare, apo që e motivon Ramën Velinë ta mbajnë pushtetin me thonj, sepse duan të strehohen tek posti politik.  

Prandaj unë mendoj që edhe për këtë arsye, nëse ne duam të ndërtojmë një demokraci funksionale në Shqipëri, na duhet medoemos t’i trajtojmë të gjithë të barabartë përpara ligjit, pavarësisht popullaritet, parave apo pushtetit.

Evropa ka tre shekuj, që kur Monteskieja konceptoi ndarjen e tri pushteteve, që e ka ndarë llogarinë që jepet përpara drejtësisë me llogarinë që jepet përpara votuesit. Prandaj edhe shumë politikanë të korruptuar apo vrasës janë vënë përpara drejtësisë, pavarësisht se sa popullorë kanë qënë. Imagjino përshembull sikur të hynte Luizi në politikë dhe ta përdorte mbështetjen popullore për të shpëtuar nga dënimi penal (?!).

Prandaj unë jam i bindur që nuk i detyrohemi as Berishës dhe Metës, por as ministrave të Ramës, të cilët janë sot në burg prej denoncimeve të Nismës Thurje. Se më këtë logjikë, do i kërkonim një herë falje Berishës që do dilte forcë e parë në opozitë, dhe dy herë falje Ramës, që do dilte forcë e parë në vend (gjithmonë sipas parashikimit të bërë në artikullin e Bushatit).

Premisa e dytë e tezës së Bushatit është se kryetarët e partive janë të pandryshueshëm, njësoj si faktet natyrore. Bushati nuk thotë që Meta apo Berisha janë të pafajshëm (se nuk mund ta thotë dot), por thotë se ata nuk duhet të ndëshkohen për krimet e tyre, sepse kështu dobësohen partitë e tyre. Mirëpo, të qënit kryetar partie nuk është një fakt i pandryshueshëm, siç është, bie fjala, tërmeti apo shiu. Çdo kryetar i një grupimi ngrihet mbi supet e sakrificës që kanë bërë anëtarët dhe strukturat drejtuese të partisë. A e ka konsideruar Bushati që t’i kërkojë Berishës dhe Metës që problemet me drejtësinë t’i zgjidhin privatisht, ndërkohë që forumet drejtuese të partive të tyre të zgjedhin drejtues të rinj. Përse qenka kaq e pa imagjinueshme që këto parti të drejtohen nga njerëz të rinj dhe të ndershëm, të cilët as nuk kanë vrarë protestues në bulevard dhe as nuk kanë vjedhur floririn e shtetit.

Premisa e tretë e Bushatit është që Berisha dhe Meta duhet patjetër të kenë monopolin e opozitës. Për analogji, është sikur të thuash që Bushati nuk duhet ta hapte portalin e tij, sepse kështu do i merrte audiencën TV Klanit dhe Vizionit. Unë mendoj që ashtu si Bushati ka të drejtën për të ekzistuar si i ndryshëm në gazetari, edhe ne kemi të drejtën të ekzistojmë si një  alternativë në politike, pa patur nevojë të kërkojmë ndjesë pse ekzistojmë.

Për të mos folur pastaj se për çfarë e do Berisha dhe Meta monopolin e opozitës. Se historia deri tani na ka treguar që iu është dashur për tu mbrojtur nga drejtësia, për të marrë leje ndërtimi, për të votuar amnistinë penale, për të votuar një kod zgjedhor që fuqizon Ramën apo për të penguar votimin elektronik dhe votën e diasporës.

Premisa e fundit në artikullin e Bushatit është që nëse Berisha dhe Meta mbeten në opozitë, përgjegjësia do të jetë e jona(?!).

Kërkesa e faljes është në proporcion me përgjegjësinë që dikush ka në një situatë politike. Por çfarë përgjegjësie kemi ne për atë që po ndodh sot brenda partive të vjetra opozitare?

Nga njëra anë, nuk po i çojmë ne në burg Berishën me Metën, se ne nuk jemi as prokurorë, as oficerë gjyqësor, as policë dhe as gjyqtarë. E vetmja gjë që po bëjmë është që të mbështesim punën e SPAK-ut dhe të kërkojmë hetimin e zyrtarëve të korruptuar pa dallim feje, krahine apo ideje. Nëse të kërkosh drejtësi është faj, nuk di sesi ta përkufizoj të kundërtën.

Nga ana tjetër, ne nuk jemi as drejtues të PD-së dhe PL-së dhe as nuk kemi lidhje me këto parti. Prandaj nuk e kuptoj përse Bushati nuk e kërkon përgjegjësinë për dobësimin e opozitës tek Berisha, Basha, Alibeaj apo Shehaj që e kanë përçarë PD-në në njëqind copa, apo tek deputetët e Metës që tashmë kanë shitur mandatet tek Rama.

Po pse, unë e kam fajin që partia e parë opozitare në vend ka mbetur në dorën e Metës, të cilin deri dje vetë e akuzonin se ka vjedhur floririn e shtetit?! Çfarë duhet të bëjmë ne fshijmë nga kujtesa atë që kemi parë me sytë tanë, apo të thërrasim “Ilir Meta e vërteta?”.

Në fakt, nëse dikush duhet të kërkojë ndjesë ai është Andi Bushati, i cili ka marrë përsipër të mbrojë të pambrojtshmit, të cilët deri dje i akuzonte vetë për vrasjet në bulevard apo për bllokun e korrupsionit, ndërsa sot kërkon amnisti për krimet e tyre.

Nuk e di a ka kërkuar falje Bushati që në 2019-ën mbështeti idenë e daljes së opozitës nga Kuvendi dhe bojkotin e zgjedhjeve. Por unë mendoj që të paktën sot duhet të kërkojë ndjesë që inkurajon një radikalizim te opozitës me argumentin se këtë herë do jetë ndryshe.

Personalisht nuk e shoh këtë situatë si një fatkeqësi, por si një mundësi për opozitën që të reformohet dhe të sjellë një ndryshim brezash. Për mua fatkeqësi është që opozita me Berishën dhe Metën është futur në garë kush kap më shpejt fundin, duke u tkurrur nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe duke u kthyer në fatin më të madh të Ramës.

Për mua tragjedi nuk është arrestimi i politikanëve me vila dhe pallate, por rritja e pabarazisë e cila po shkatërron familjet shqiptare, duke i shpërndarë fëmijët nëpër botë, dhe duke i frenuar të rinjtë që të martohen dhe të sjellin në jetë fëmijë.

Prandaj Andi Bushati dhe ish shokët e tij të klasës, në vend që të marrin në mbrojtje ata që e kanë marrë Shqipërinë në qafë, duhet t’i japin zë kërkesave tona për reformimin e klasës politike, sepse ata që janë pasuruar në kurriz të shqiptarëve, nuk mund të jenë alternativë.

Personalisht do vazhdoj po njësoj të luftoj që kjo klasë politike të japë llogari për atë që i ka bërë Shqipërisë dhe atë i ka marrë shqiptarëve. Prandaj, jo, nuk kam ndërmend të kërkoj falje!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x