8.5 C
Tirana
21 / 11 / 2024

… EDHE SI MËSIM PËR PRESIDENTIN DHE GJITHË TË TJERËT: MARTINI NUK NDËRROI JETË, MARTINIT IA MORËN JETËN!

Nga Luan Rama

Portat e mortit janë të hapura në familjen Cani, diku aty në anë të rrugës në Saukun e Vjetër. Në atë pjesë të Tiranës gjëma është e pranishme gjithkund. Përgjatë ditës e deri në mbrëmje vonë gjen shumë njerëz që shkojnë e shkojnë pambarim. Jo vetëm ata që banojnë atypari e as vetëm bashkëkrahinas nga Martaneshi që solidaritetin në kësi raste e kanë një institucion krejt të veçantë, por edhe plot qytetarë nga Tirana e të tjerë nga vise të ndryshme të atdheut, shkojnë për të ndarë dhembjen me prindërit e Martinit katërmbëdhjetëvjeçar, të cilit ia mori jetën thika e një katërmbëdhjetëvjeçari tjetër.

MORT I RËNDË…

Ndërsa marr udhë e shkoj për ngushëllim në familjen e Martinit, vetiu gjendem nën peshën e hallit të madh se çfarë mund t’u them prindërve zemërvrarë që humbën djalin e tyre mu atëherë kur ndjenin e gëzonin që po rritej i mbarë, me plot ëndrra e pasione, sepse një tjetër moshatar i Martinin, me thikë jo vetëm në dorë ka shkuar të “sqarohet” dhe e ka pritur prenë e vet teksa po dilte shpenguar e krej i pafajshëm nga oborri i shkollës. 

Shkolla “Fan Noli”, aty ku Martini ishte nxënës dhe pranë së cilës ia morën jetën, gjendet fare pranë ndërtesës së Prokurorisë së Përgjithshme, e pak më andej në anën tjetër të rrugës “Qemal Stafa”, edhe pranë Poliklinikës Qendrore, siç e njohin banorët e asaj zone, apo Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3, siç e ka emërtimin në sistemin e institucioneve të sistemit të shërbimit të reformuar shëndetësor. 

Pra, dua të them se krimi ka ndodhur në një zonë “atipike” për akte apo demonstrime të tilla, edhe pse në fakt, në Tiranë nuk është se po e respekton më njeri këtë ndarje apo “hartën” që përgjithësisht e bëjnë ata që merrem ne tipologjinë e krimit dhe shtrirjen territoriale të tij.

Përhumbur mes dhimbjes e përpjekjes për të  gjetur fjakët që duhet të them duke përfytyruar se si ndodhi vrasja e pse pikërisht në atë vënd, përmendem nga një zë fare pranë meje:

-Nuk ka mort të lehtë, por ky është mort shumë i rëndë. Mjerë ata të cilëve iu ka rënë! Nuk gjen burri as forcë ta përballojë e as fjalë se çfarë të thotë.

E njoha nga zëri Rizain, Riza Gjylën nga Martaneshi. I dhashë të drejtë në heshtje dhe e bëmë një copë rrugë bashkë, pa folur. Të paktën nuk isha vetëm, e kur je me një të njohur në kësi rastesh, ndjen se ke edhe dikë tjetër me të cilin mund ta mbash më lehtë barrën e dhimbjes.

Atmosfera e rëndë e mortit ndjehet menjëherë. 

Gra të veshura me të zeza. Krejt të heshtura. Pothuaj të mpira. 

Pak më poshtë, burra të rënduar prej dhimbjes që presin ata që shkojnë për kryeshëndoshë. Merret me mend që janë të afërm të familjes në mort. Me një solemnitet fisnik e duke vënë dorën e djathtë në zemër, ata na drejtojnë per tek kryet e vendit, aty ku gjendet babai i Martinit. 

Heshtja e tij është e thellë. Është e rëndë sa vetë dhembja. Si vetë gjëma që i ka rënë. 

Shtërngojmë duar me njëri-tjetrin. Ia ndjej në dorë drithërimën e shpirtit, dhimbjen që e ka vënë poshtë, anipse mundohet të mos e shfaqë. Nuk gjej dot asnjë fjalë. Sepse nuk ka fjalë që të vjen në ndihmë në një situatë si kjo.

Një djalë i ri afrohet si një statujë që ecën dhimbshëm. Shërben kafe dhe duhan. Mandej largohet ashtu si erdhi, pa e kthyer shpinën. Ndërsa ai largohet për të kryer të njejtin shërbim tek të tjerë të pranishëm aty, unë hedh sytë nga babai i Martinit, si për ta gjetur brenda atyre syve ku babai e burri janë bashkë, forcën që më duhet që të mund të flas dy fjalë, të them diçka.

-Gjetshi forcë ta përballoni dhimbjen e madhe! Kaq munda të them.

-Na ka rënë, nuk kemi rrugë tjetër. Qenka provë e rëndë. Mos i rëntë kujt me e provu! Duhet ta përballojmë, -foli qetë e burrnisht babai i Martinit. 

Në krahun e majtë të tij, një njeri më larg dallova edhe Fetah Deliun, gjyshin e Martinit nga nëna.

-Duhet të bëhesh gjysh i fortë or Fetah Deliu! -iu drejtova atij.

-Eh mor bir, po ku ta gjej forcën unë plaku, – m’u përgjigj atypëraty.

-Tek Martini, tek kujtimi i tij, tek ëndrrat… -thashë më shumë se më duhej të thoja diçka për të ngarë muhabetin e për ta shtyrë diku tjetër e për të mos e mbajtur tek babai i Martinit. Se në të tilla raste, muhabeti i atyre që shkojnë është i rëndësishëm.

Dhe Fetah Deliu nisi të flasë për Martinin, për nipin e tij, me atë dashuri që mund ta shprehë vetëm gjyshi.

-Qe fëmijë i mbarë. Shumë i dashur. Këtu në lagje e doni të gjithë fëmijët e tjerë. Edhe ai i donte. Nuk bënte fjalë me askënd. E pranonin për të parë, e donin lider. 

I mësova të luante shah. Dhe sa herë që vija merrte tabelën e shahut dhe i rreshtonte gurët menjëherë.

-Hajde gjysh, ushtritë janë gati. -Ja, kështu më thoshte, vazhdon rrëfimin Fetah Deliu, e shikimi i tretet kah rruga a thua se pret që Martini të vijë e të luajnë sërish.

-Shumë shpejt jo vetëm e mësoi lojën e mendjes, por edhe arriti ta mundë gjyshin…

Edhe pse fisnikëria e atyre njerëzve të mirë e të paqtë, përpiqet ta mbajë dhembjen brenda shpirtit të tyre, nuk është e mundur të mos shkojë muhabeti edhe tek shkaqet apo arsyet se përse jemi bërë shoqëri kaq e dhunshme, përse prodhojmë kaq shumë krim, përse vrasim kaq lehtë!…

TË GJITHË KEMI DËSHTUAR!

Kush ka dështuar më shumë; familja, shkolla, shoqëria apo vetë shteti? Këtë pyetje e bëjnë shumë qytetarë, sa herë ndodh ndonjë vrasje si ajo që vrau Martinin. Por, edhe pse prej kësaj pyetjeje hapet gjithmonë një debat i madh e shpërfaqen një mori problemesh, asnjëherë nuk ka ndodhur që ndonjë institucion i shtetit të qëndrojë gjatë e të konturojë hapat nëpër të cilat duhet ecur. Në mos për ta ndaluar shfaqjen e fenomeneve apo dukurive të tilla, të paktën, për ta administruar e mpakur trendin e kësaj tipologjie vrasjesh. Nuk është e pamundur.

Familja është aktori më i rëndësishëm. E brenda familjes nëna është e para. 

Unë i jap të drejtë Silvana Kolës (Loka) kur thotë se “të gjitha rrugët të çojnë tek prindi” dhe se çfarë rëndësie merr njohja dhe administrimi i shëndetit mendor të fëmijës, prania e psikologut në jetën e tij e kështu me rradhë. 

Por, a mjafton vetëm kaq? Mendoj se jo. Ndaj, edhe kur familja për njëmijë e një arsye, nuk ia del dot të përmbushë misionin e vet, hyn në lojë shteti, të cilit nuk i falet të dështojë. Sepse shteti është rregullatori. Ai duhet të korrigjojë edhe gabimet e të tjerëve.

Edhe në rastin e vrasjes së Martinit, nuk munguan përpjekjet për ta trajtuar ngjarjen si një rast banal, si një gjë që ndodhi. 

Ishin zënë të premten sepse Martini e kishte parë atë djalin tjetër, e meqë nuk e zgjidhën zënkën e tyre të premten, e lanë të takohen të hënën për t’u sqaruar. U zunë prapë dhe fundi qe tragjik për Martinin, të cilit, ai që u shkul nga një zonë tjetër e Tiranës e shkoi pranë shkollës ku mësonte Martini, i mori jetën.

Kështu siç tregohet, ngjarja është banale. Ndërsa pasoja është tragjike. 

Mirëpo, nëse duam që analizën ta bëjmë drejtë e të plotë, shkaqet që çuan në pasojën tragjike, nuk janë banale. Janë shkaqe serioze dhe shpërfaqin defekte e plagë të rënda që nisin prej familjes e modelit që ofron në familje shembulli i prindërve dhe roli i tyre, për të shkuar mandej tek shkolla dhe roli i saj, e padyshim, e gjithë shoqëria jonë dhe modelet e shëmtuar që ajo ofron pa rezervë. Edhe prej ndihmës që ofrojnë televizionet e ca më shumë portalet, rrjetet sociale.

Tema është e gjerë, komplekse. Ndërthuren në të shumë faktorë e aktorë, rrethana e shkaqe, motive e qëllime të ndryshme. 

Por, në këto rradhë dua të veçoj vetëm një aspekt.

Më është dashur që keto ditë të flas me nxënës të klasave të teta e të nënta dhe me gjimnazistë, për të mësuar se çfarë ndodh në botën e tyre. Dhe shtanga nga çfarë më thanë. Dukuria e sherreve të tilla ku grupe nxënësish, pasi rrihen një ditë, e lenë e shkojnë një ditë tjetër për t’u sqaruar, por që rrihen prapë, qenka një shfaqje e rëndomtë nëpër shkollat nëntëvjeçare dhe në gjimnazet e Tiranës. Më pak, por ky model shfaqet edhe nëpër qytetet e mëdha kryesisht.

Nga sa munda të mësoj këtyre ditëve nga bisedat me nxënës, m’u duk se vetëm unë nuk e dija që ky fenomen qënka kaq i përhapur. Madje, ndonjëri edhe qeshte me mua se “si ka mundësi o xhaxhi që ke qenë deputet e tani je edhe gazetar dhe nuk e ditke!”. Ndërsa Klodi, gjimnanzist në “Petronini” më tha:

-Po pse, kur ke qenë deputet, asnjëherë nuk je zënë edhe ti si deputetët e tjerë?!

Pra, rasti i Martinit nuk është i vetmi. Nëpër shkolla, nxënës dhe mësues e dinë që dukuria e sherrit e mandej, takimit për t’u “sqaruar” po me sherr, qënka shumë e përhapur. Po kush qëndroi për ta analizuar e ndaluar këtë dukuri? Cili prind, cili mësues, cili deputet, cila shkollë, cili institucion apo cila ministri? Askush. Asnjë.

Ja pra se si i është lënë shtegu hapur vrasjes së Martinit. Dhe me gjasë, të paktën duke marrë shkas nga mënyra e reagimit të institucioneve shtetërore deri tani, asnjë siguri nuk ka se nuk do të kemi një Martin tjetër të vrarë.

Kush ka dështuar, familja, shkolla, shoqëria apo vetë shteti? 

Kemi dështuar të gjithë.

Të mos e pranojmë, do të thotë të mos e kemi idenë se në ç’realitet gjendemi. Të mos reagojmë e të mos veprojmë, do të thotë të lejojmë që kjo dukuri të vazhdojë e të bëhet edhe më e pranishme. Ndaj, në një shkrim të publikuar disa ditë më parë kam shkruar: Thika që e vrau Martinin është mes nesh. Tehun e saj e kemi mprehur të gjithë nga pak. Nëse nuk e thyejmë të gjithë sëbashku, ajo thikë do të vrasë sërish!

M’u për këtë arsye, unë nuk kisha asnjë argument që t’i kundërvihesha pyetjes së gjimnazistit të “Petroninit” kur më tha: 

-Po pse, kur ke qenë deputet, asnjëherë nuk jeni zënë ju deputetët?!

Klodi kishte dhe ka të drejtë. Deputetët u zunë edhe për Martinin! U zunë se kush prej tyre ta përdorte i pari, cili ta përdorte më shumë!

FJALA E MIRË, MELHEM NË ZEMËR…

Muhabeti në kafe e ndarja e duhanit janë rituale të pandryshuara në mort. Vijnë të tilla prej shekujsh. 

Edhe në familjen e Martinit, ky ritual është i njejtë këto ditë morti. Të pranishmit rrëfejnë histori të ngjashme ose të përafërta dhimbjesh. Ata që shkojnë për kryeshëndoshë e dinë rendin se kur duhet të flasin. Dhe flasim me maturi, pavarësisht moshës. Çdo e thënë apo çdo rrëfenjë e tyre, mbart një mesazh. Synon të ndajë peshën e dhembjes. “Fjala e mirë, melhem në zemër”, thotë një shprehje e urtë. Institucioni i të urtëve e ka krijuar këtë traditë. Mbase për të lehtësuar barrën e mortit, peshën e dhembjes.

Mes kësaj dhembjeje më duhet ngrihem. Duke e marrë dhembjen e mortit me vete. Si të gjithë ata që shkojnë në atë shtëpi.

Por, nuk mund të dilja prej andej pa takuar edhe gjyshen e Martinit, Shpresën. 

Edhe ajo vetë është bijë në një shtëpi të nderuar dhe emërmirë në Martanesh. Me emra e kontribute që i nderon gjithë krahina. Është vajza e Avdiut, mbesa e Qazim Aliajt.

E përqafoj atë gjyshe të mirë dhe ndjej në atë përqafim se sa e madhe dhe sa e fortë është zemra e gjyshes, edhe pse e copëtuar prej dhembjes.

-E di, do më thuash të mbahem, të bëhem e fortë. Do të mbahet nëna. Do të mbahem se nuk kam rrugë tjetër. 

Dhe sytë ia pushton pika e lotit. Më ngjan si pikë vese mbi një lule të sapokëputur.

I kanë vrarë nipin. Ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç. 

Fisnikëria e atyre njerëzve nën peshën e dhimbjes është epike. Është e jashtzakonëshme. Është imponuese. Është fisnikëri monumentale.

Asnjë grimë mërie. Asnjë shenjë hakmarrjeje. 

Murati, një bashkëkrahinas i famijes në mort më afrohet ngadalë dhe e gjen me elegancë  mundësintë të përcjellë një mesazh. 

-Nëse mundesh dhe meqë të lidh puna me ata lart, thuaji faleminderit Presidentit të Republikës për ngushëllimin. 

Por, edhe mësojani zotit President se Martini nuk është ndarë nga jetë. Martinit, ia morën jetën!

Dhe, meqë ka qenë mësues i gjuhës shqipe, Murati nis e më shojegon se togfjalëshi “ndarja nga jeta” përdoret në rastet kur dikush vdes për shkaqe natyrore ose prej ndonjë sëmundje të pashërueshme. 

-Martinin e vranë. Martini nuk u nda nga jeta, Martinit ia morën jetën! – vijoi argumentin jo vetëm gjuhësor Murati.

E kisha lexuar edhe unë. Presidenti i Republikës kishtë publikuar një status në profilin e tij zyrtar në fb. Por këtë detaj nuk e kisha fiksuar. Ja teksti i plotë:

“Ndarja nga jeta e 14-vjeçarit është për të gjithë ne një dhembje e madhe. 

Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij! Gjithashtu, uroj nga zemra shërim të shpejtë e të plotë për nxënësin e plagosur!

Kjo ngjarje e rëndë na shqetëson dhe na ngarkon me përgjegjësi për mjedisin ku po rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, duke përfshirë shoqërinë, shkollën dhe familjen. 

Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online, si dhe të ndalojmë çdolloj shfaqje të dhunshme në shoqërinë tonë.

Fëmijët dhe të rinjtë tanë meritojnë të orientohen drejt modeleve pozitive të punës, shkollimit dhe arritjeve nëpërmjet tyre”.

Ç’përgjigje t’i jepja Muratit të mirë e të mençur? Nga ta dijë ai se Presidentit ashtu ia kanë shkruar. Burokratët e pushtetit nuk ndjejë. Ata vetëm shkruajnë. Pa kuptuar që relativizimi në të tilla raste vret njësoj si thika që vrau Martinin. Ndërsa retorika klishe me fraza të tipit; “Si shoqëri, kemi një sfidë të madhe përpara: Të frenojmë promovimin e dhunës në rrjetet sociale dhe hapësirën online,” do të thotë të mos e kesh idenë se nga çfarë plagësh vuan shoqëria jonë dhe se përse ndodhin vrasje si ajo që i mori jetën Martinit.

                        ……..

Më duhet t’i le ata njerëz në hallin e madh që i ka zënë e në dhimbjen e pamatë që i ka kapluar. E ndërsa përqafoj sërish gjyshen e Martinit, them me vete: – Sa mirë që kjo nënë nuk e ka lexuar ngushëllimin e Presidentit!

Ia ndjej zemrën që brufullon prej dhembjes dhe duart që nuk duan të më lëshojnë. Njeriu në detin e dhembjes ka nevojë të mbështetet diku.

Nuk duhet të qaj. Nuk mund të qaj. Të paktën, para syve të asaj nëne jo. Ndërsa ikja, e ndjeja që sytë e saj ishin mbytyr në lot për Martinin që nuk do ta shohin më kurrë.

A mund të mos qash?…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x