Debati për votat e nevojshme për miratimin e reformës territoriale u zhvendos sot në Komisionin e Ligjeve.
Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, iu referua raportimeve mediatike se dy deputetë të PS-së kanë kundërshtuar propozimin e mazhorancës për hartën e re territoriale, duke shprehur shpresën që ata të ruajnë të njëjtin qëndrim edhe në votimin në Kuvend.
“Nga burimet mediatike sot, dy deputetë në grupin tuaj parlamentar e kanë kundërshtuar. Shpresojmë të qëndrojnë deri në momentin e fundit dhe do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për komunitetet dhe bashkitë që kërkojnë të mos shkrihen”, tha Gjoni.
Deklarata e Gjonit solli reagimin e deputetes së PS-së, Zegjine Çaushi, e cila u shpreh e bindur se mazhoranca i ka 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës.
“Për atë që tha zoti Gjoni, vazhdoni shikoni ëndrra, vazhdoni mbani veshët pas derës. I kemi apo s’i kemi ne ato 84 votat tona. Ne e kemi provuar disa herë se çfarë skuadre dhe ekipi solid jemi. Kështu që edhe këtë të enjte do ta shikoni shumë mirë se kush ne jemi”, deklaroi ajo.
Diskutimet në Komisionin e Ligjeve janë shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës edhe për procesin e konsultimit.
- Reforma territoriale, deputetët Braçe dhe Sinaj votojnë kundër propozimit të hartës me 46 bashki - 05/10/2026
- “Dy deputetë të PS do votojnë kundër Reformës Territoriale”, Zeqine Çaushi i përgjigjet Gjin Gjonit për Sinajn e Braçen: Shih ëndrra, shih… - 05/10/2026
- Nga juridiksioni te dënimet, çfarë parasheh projektligji për Specialen? - 05/10/2026