19.5 C
Tirana
31 / 05 / 2026

Dua Lipa martohet me Callum Turner, çifti kurorëzon dashurinë në një ceremoni private në Londër

 Dua Lipa dhe Callum Turner janë zyrtarisht burrë e grua. Këngëtarja shqiptare me famë botërore dhe aktori britanik u martuan të dielën në një ceremoni private të zhvilluar në Marylebone Town Hall në Londër.

Në dasmë mori pjesë vetëm një rreth i ngushtë familjarësh dhe miqsh, ndërsa momentet e para pas ceremonisë të publikuara në mediat e huaja, tregojnë çiftin e buzëqeshur teksa del nga godina mes duartrokitjeve  të të ftuarve.

Martesa vjen rreth një vit pasi Dua Lipa konfirmoi fejesën me Turner në një intervistë për British Vogue. Kjo është martesa e parë për secilin prej tyre

Artistja 30-vjeçare zgjodhi një veshje elegante të bardhë, të përbërë nga kapelë, doreza, pallto dhe një fustan i thjeshtë, duke shmangur stilin tradicional të nuses. Ndërkohë, Callum Turner, 36 vjeç, u paraqit me një kostum të zi klasik.

Sipas mediave britanike, në ceremoni ishin të pranishëm vetëm tetë persona, të cilët hodhën konfeti mbi çiftin ndërsa ata largoheshin nga bashkia.

Megjithatë, ceremonia e zhvilluar në Londër konsiderohet vetëm pjesa zyrtare e martesës. Çifti pritet të organizojë një festë shumë më të madhe në Siçili të Italisë, ku do të marrin pjesë personalitete të njohura nga bota e muzikës, filmit dhe showbiz-it.

Dua Lipa dhe Callum Turner nisën lidhjen e tyre disa vite më parë dhe prej atëherë janë shfaqur shpesh së bashku në evente publike, duke u kthyer në një nga çiftet më të komentuar të industrisë së argëtimit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x