1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

“Do të ketë gjakderdhje”, protestuesit në Abkhazi mësyjnë në parlament

Rajoni separatist në Gjerogji, Abkazi, është përfshirë nga protesta të shumta. Shkak është bërë një ligj kontrovers i cili u jep përparësi investitorëve rus të investojnë në vend në industrinë e ndërtimit. Protestuesit e udhëhequr nga opozita janë futur vrullshëm brenda oborrit të Parlamentit lokal në Sukumi, kryeqytetin rajonal, në përpjekje për t’i detyruar ligjvënësit ta shfuqizojnë një marrëveshje kontroverse me Moskën.

Sipas mediave vendëse, përpjekjet për ta ratifikuar marrëveshjen më 15 nëntor dështuan, pasi protestuesit u futën në oborrin e Parlamentit. Por, kjo nuk i ndaloi protestuesit, të cilët tani duan një seancë të re parlamentare për të votuar për shfuqizimin e plotë të marrëveshjes. Udhëheqësit e opozitës abkhaziane thonë se marrëveshja me Moskën, e cila do të lejonte projekte investimi nga subjektet juridike ruse, do t’i zhvendoste vendasit jashtë tregut të pronave duke lejuar shumë më tepër para ruse të rrjedhin brenda.

“Kundërshtimet po rriten, dhe ka rrezik që të ketë gjakderdhje”, shkruajnë analistët gjeorgjianë në Telegram.

Sipas mediave vendëse, policia dhe qindra protestues u përleshën, pasi dyshohet se forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën. Nuk është raportuar për të lënduar apo arrestuar. Zyra për shtyp e liderit të Abkazisë, Aslan Bzhania, tha se administrata e tij është duke e përdorur një dokument për tërheqjen e projektligjit nga Parlamenti. Por, protestuesit thanë se nuk do të largohen para se Bzhania të japë dorëheqje. Tensionet janë rritur dukshëm në javët e fundit në këtë rajon, pasi aktivistët opozitarë janë duke kërkuar t’i japin fund mbizotërimit të Rusisë në këtë rajon dhe në ekonominë e tij, edhe pse partitë opozitare thanë më 15 nëntor se protesta e tyre nuk është kundër Rusisë.

Udhëheqësi i opozitës Raul Khadzhimba, i zgjedhur pas trazirave në 2014, u detyrua vetë të jepte dorëheqjen në vitin 2020 pas protestave në rrugë për rezultatet e diskutueshme të zgjedhjeve.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x