Nga Ermal Peçi
Çdokush që ka parë pamjet e dhunimit të dy të rinjve në Saraj të Shkupit, vështirë se mund të mos ketë ndier revoltë. Një revoltë që lind natyrshëm përballë dhunës, aq më tepër kur ajo ushtrohet nga njerëz që mbajnë uniformën e shtetit.
Ata dy të rinj mund të ishin vëllezërit tanë, kushërinjtë tanë, miqtë tanë. Janë bijtë e një familjeje, vëllezërit e një motre, njerëz që dikush i pret në shtëpi. Mjafton të imagjinosh çfarë kanë përjetuar prindërit e tyre kur kanë parë ato pamje, apo kur janë përballur me fëmijët e tyre të dhunuar. Asnjë prind nuk duhet ta përjetojë një dhimbje të tillë dhe asnjë qytetar nuk duhet të ndihet i pambrojtur përballë atyre që kanë detyrën ta mbrojnë.
Kjo është ana njerëzore e historisë. Por, fatkeqësisht, ekziston edhe një anë tjetër: përpjekja për ta shndërruar këtë ngjarje në kapital politik dhe propagandë elektorale.
Një propagandë që mund t’u shërbejë interesave të një grushti njerëzish, por jo së vërtetës, jo drejtësisë dhe aq më pak faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.Forcat politike dhe makineritë e tyre të propagandës, përpara se të ndezin zjarre artificiale dhe të ushqejnë tensione etnike, kanë detyrimin t’i tregojnë opinionit publik se çfarë ka ndodhur realisht në Saraj.
Përpara se të ringjallin plagët e së shkuarës, duhet të sqarojnë edhe përkatësinë e punonjësve të policisë të përfshirë në ngjarje. Sipas informacioneve të raportuara, mes tyre ka pasur një policë shqiptarë, një boshnjak dhe një maqedonas . Këto të dhëna konfirmojnë edhe më qartë se përgjegjësia për dhunën duhet kërkuar te individët dhe veprimet e tyre, jo te përkatësia etnike.
Se dhuna nuk ka kombësi. Abuzimi me uniformën nuk ka etni dhe përgjegjësia penale apo institucionale nuk mund të përcaktohet nga emri, gjuha apo origjina e atij që e ushtron dhunën.
Pamjet e publikuara ngrenë pikëpyetje serioze mbi sjelljen dhe profesionalizmin e tyre. Nëse shkeljet konfirmohen, përgjegjësit duhet të përballen me pasojat ligjore. Uniforma e shtetit nuk është licencë për të dhunuar, por përgjegjësi për të mbrojtur.
Ajo që nuk duhet lejuar është që dhimbja e dy të rinjve dhe familjeve të tyre të përdoret si karburant për betejat elektorale. Kur politika e shndërron një padrejtësi në instrument propagande, viktimat rrezikojnë të mbeten në hije, ndërsa e vërteta bëhet peng i interesave partiake.
Prandaj, përpara se video e dhunës në Saraji të shndërrohet në një tjetër arenë të propagandës politike, duhet të flasin faktet, institucionet dhe drejtësia.
E vërteta nuk i shërben vetëm dy të rinjve të dhunuar. Ajo i shërben gjithë shoqërisë, bashkëjetesës dhe besimit te shteti.
Dy të rinjtë e Sarajit kanë nevojë për drejtësi, jo për propagandë dhe shoqëria ka nevojë për të vërtetën, jo për zjarre elektorale që ndizen mbi dhimbjen e njerëzve.
- Dhuna në Saraj dhe politikanët që kërkojnë vota por jo të vërtetën! - 10/10/2026
- Antonelli favorizohet para Russellit? “Shpërthen” Totto Wolf: Idiot kush e mendon, shkoni dhe shikoni Mickey Mouse - 10/10/2026
- VIDEO/ Ambasadori i ri i SHBA-së shkon në SPAK, takohet me Brahon dhe kreun e BKH i shoqëruar nga senatorë amerikanë - 10/10/2026