Nga Ledio Alite
Ishte mëngjesi i 8 Dhjetorit 2018, rrugës për në fakultet më priste miku im Bes Kurdari te “Libri Universitar”. Nuk kishim fjetur shumë, si çdo natë të asaj periudhe, diskutimet në grup te kafe “Belmondo” nuk kishin fund deri në orët e para të mëngjesit. Ishte një nga momentet kulmore të valës së protestave studentore. Ideali i dhjetorit 1990 është padyshim një nga veprat më sublime që shoqëria shqiptare ka prodhuar. Kjo ishte dhe ëndrra e atyre mëngjeseve, për të gjithë ne. Më shumë se protestë përballë qeverisë, në sytë e publikut të gjerë kjo shprehje vullneti po perceptohej si manifesti politik i një brezi të lindur pas rënies së komunizmit. Ne ishim në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë. Diskutonim me ideal dhe pasion për çdo gjë që mendonim të flisnim në megafonat e protestës, zemra na ziente për të shpalosur atë çka donim, një realitet tjetër, të paperceptueshëm për brezin më të vjetër.
Dhe kështu, si shumë nga mëngjeset e atyre ditëve të cilat në kujtesë mbeten si një ditë e vetme, u drejtuam për në rrugën e Durrësit ku na prisnin shokët dhe shoqet. Në gjithë atë turmë, mbizotëronte një liri absolute e shprehjes së mendimit, askush nuk mund ta pengonte. Ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që një organizim më i strukturuar nuk erdhi kurrë, ishte kaq e lirë, si vetë brezi, i panegociueshëm. Na prisnin megafonat, të cilët i jepnin zë fjalëve të menduara gjatë orëve të vona, si debat në distancë me deklaratat e Kryeministrit, debat ky që realisht nuk ishte qëllim në vetvete, por pikë referimi për të shpalosur enegjinë e pathyeshme tonën. Askush vërtet nuk e donte atë lëvizje, përveç njerëzve të thjeshtë dhe disa intelektualëve të mirë. Gjatë marshimeve shoferët e autobusëve dhe makinave nxirrnin duart nga dritaret për të na përshëndetur, emocion që nuk do ta harroj kurrë, sepse ishte diçka e vërtetë. Nëna të panjohura sillnin në orare të drrekës ushqim me aq sa kishin mundësi, dhe bërtisnin me shpirt: “Vetëm ju mos u dorëzoni!”. Ndoshta historia do na gjykojë për zhgënjimin që i dhamë në fund.
Pasditen e 12 dhjetorit, pas një marshimi historik të të gjithë fakulteteve, në mendjen time do të mbetet përgjithmonë momenti kur ultimatumi i studentëve skadoi. Kaos dhe panik. Nuk dinim ku të shkonim dhe çfarë të bënim. Të gjithëve u dridhej zemra të merrnin megafonin në atë moment aq delikat. Askush nuk ishte i fuqishëm mjaftueshëm të ngrinte peshë zemrën e të gjithëve. Një moment i tillë, do kishte prodhuar një lider historik, kjo është pak por e sigurt. Pas kësaj ore, erdhi përçarja e ngadaltë, deri në shuarje. Të gjithë këshillat e të vjetërve që na donin të mirën nuk i kishim zbatuar, nuk ishim organizuar, nuk ishim strukturuar. Shumica e idealistëve në atë shesh, nuk donte të rrëzonte një sistem, por të krijonte një pranverë të re për të gjithë, me energjinë dhe idealet që koha i kishte mishëruar në këtë brez.
Nuk do e harroj kurrë mbështetjen e profesor Edmond Tupes, një nga të paktët intelektualë të vërtetë i cili banonte aty pranë, dhe na u bashkua për të na dhënë kurajo. Ndejti burri i vjetër në të ftohtë gjithë atë ditë, priti, dhe në fund ne e zhgënjyem. Ndoshta, ky dhjetor i dytë ishte edhe më i vështirë apo i paqartë, pasi nuk nisej nga një orientim i zhvillimeve të ngjashme njëkohësisht në botë. Megjithëse nuk la gjurmë në historinë e shoqërisë shqiptare, e sigurt është që në atë muaj shpalosën vullnetin e tyre qindra e mijëra djem e vajza të një brezi të ri, të ndryshëm, më kritik, më auto-kritik, më të sfiduar nga pasiguritë e shumta të kohës, të cilave edhe rinia e vendeve perëndimore e ka shumë të vështirë t’i bëjë ballë. Secili nga ne ndryshoi pas këtij dhjetori. E vërteta është se kjo lëvizje nuk prodhoi një lider, por ndoshta kjo nuk është koha e liderëve, ndoshta kjo është koha e individëve të fortë, të pavarur, që nuk manipulohen më nga dogmat e hedhura në turmë, por punojnë me aftësinë e tyre për ta bërë gjithçka më dinamike, më konkrete, dhe mbi të gjitha më të gëzueshme. Pesë vite më pas, sukseset e secilit prej shokëve dhe shoqeve të atyre ditëve, më faktojnë se ky ishte një Dhjetor i Dytë, që nuk prodhoi djaj politik, por njerëz të vërtetë.
- Çfarë përmban propozimi i Trump për armëpushim dhe a mund t’i japë fund luftës së Izraelit në Gaza? - 07/07/2025
- Raundi i parë i bisedimeve mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim përfundon pa marrëveshje - 07/07/2025
- Izolohen tri vatra zjarresh në vend, MM: Në Finiq, Poliçan dhe Elbasan situata e stabilizuar - 07/07/2025