28.9 C
Tirana
11 / 08 / 2026

Deklarata e Vuçiç për lumin Ibër, reagojnë dhe SHBA-të: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pjesë e domosdoshme e stabilitetit!

Pas Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Departamenti Amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se “paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara”.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, deklaroi një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Më 9 gusht, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se autoritetet serbe po shqyrtojnë, së bashku me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

Ai e lidhi këtë ide me prishjen e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata shkaktoi reagime të forta nga zyrtarët kosovarë dhe më pas u shoqërua edhe me një përplasje publike mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Edhe Komisioni Evropian ka rikujtuar rëndësinë e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se përparimi në procesin e normalizimit është një parakusht për avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x