Debate dhe akuza të forta gjatë mbledhjes së sotme (8 shtator) të Konferencës së Kryetarëve.
Krizës së pagave në sistemin e drejtësisë i është referuar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë mbledhjes, duke u përplasur me kryeparlamentarin Niko Peleshi.
Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve.
“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi.
Ai ka theksuar se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e gjyqtarëve, ndërsa sipas tij Kuvendi nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e tij.
Bardhi ka përmendur gjithashtu një vendim të Këshillit të Legjislacionit për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, duke akuzuar mazhorancën se nuk po vepron.
Sipas tij, situata ka sjellë pasoja konkrete në sistemin e drejtësisë, me gjyqtarët që ende nuk kanë marrë pagat dhe me gjykatat që ndodhen në një situatë krize.
“Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi gjatë mbledhjes.
“Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën.
Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën.
E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën”, ka shtuar Bardhi.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata e Gjykatës së Tiranës, përfshirë sekretarët gjyqësorë, Dhomën Civile dhe Dhomën Penale, është në bojkot për shkak të ngërçit me pagat e muajit gusht.
- Robert De Niro befason me foton e rrallë me vajzën 3-vjeçare: Më pëlqen shumë të jem babai yt, Gia - 08/09/2026
- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dënohet me një vit burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend - 08/09/2026
- Debate te Konferenca e Kryetarëve, Bardhi përplaset me Peleshin për magjistratët: Zbatoni vendimin e Kushtetueses, gjyqtarët janë pa paga! - 08/09/2026