Për muaj me radhë, agjencitë e inteligjencës izraelite dhe amerikane, përfshirë CIA-n, kanë ndjekur nga afër çdo lëvizje të liderit suprem iranian, Ali Khamenei, përpara sulmeve që rezultuan fatale.
Sipas CNN, shërbimet sekrete monitoronin lëvizjet e tij të përditshme, vendndodhjen, mënyrën e komunikimit dhe vendet ku mund të strehohej në rast sulmi. Paralelisht, nën vëzhgim ishin edhe drejtues të lartë politikë e ushtarakë iranianë.
Mundësia erdhi kur zyrtarë të lartë iranianë planifikuan të mblidheshin në një kompleks në Teheran, ku ndodhen zyrat e liderit suprem, presidenca dhe aparati i sigurisë kombëtare.
Shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, u dha pilotëve dritën jeshile për të goditur objektivat. Rreth orës 6:00 të mëngjesit me orën e Izraelit, avionët luftarakë izraelitë, në koordinim me SHBA-në, lëshuan municione precize dhe raketa me rreze të gjatë veprimi mbi kompleksin.
Disa orë më vonë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në rrjetet sociale se Khamenei ishte vrarë.
Operacioni ishte përgatitur për javë të tëra në bashkëpunim mes Uashingtonit dhe Tel Avivit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte informuar Trump për shqetësimet mbi programin raketor dhe bërthamor të Iranit gjatë një takimi në Mar-a-Lago.
Në javët pasuese, SHBA dislokoi asete të shumta ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë dy aeroplanmbajtëse dhe qindra avionë luftarakë, në një lëvizje që shihej si presion ndaj Teheranit.
Paralelisht, administrata amerikane zhvilloi edhe përpjekje diplomatike për një marrëveshje bërthamore. Të dërguarit amerikanë, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan bisedime indirekte me Iranin, por pa rezultat konkret.
Pas raundit të fundit të negociatave në Gjenevë, Trump u informua se Teherani nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit. Kjo, sipas burimeve, e forcoi bindjen e tij për të kaluar në veprim ushtarak.
Operacioni, megjithatë, ka nxjerrë në pah nivelin e depërtimit të inteligjencës amerikane dhe izraelite brenda strukturave iraniane dhe gatishmërinë për të vepruar sapo u shfaq momenti i konsideruar i përshtatshëm.