Britania ka akuzuar Rusinë se po planifikon që t’i japë Iranit komponentë të avancuar ushtarakë në këmbim të qindra dronëve. Kështu tha më 20 dhjetor ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, duke bërë thirrje që Perëndimi të bëjë më shumë për të bërë publikë këtë këmbim.
“Irani është bërë një prej mbështetësve kryesorë ushtarakë të Rusisë”, tha Wallace para Parlamentit, teksa foli për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Në këmbim të furnizimit me mbi 300 dronë kamikazë, Rusia tani po dëshiron që t’i ofrojë Iranit komponentë të avancuar ushtarakë, duke minuar sigurinë në Lindjen e Mesme, por edhe atë ndërkombëtare. Ne duhet ta bëjmë publike këtë marrëveshje. Në fakt, sapo e bëra”, tha ai.
Wallace nuk dha detaje se për çfarë lloje të komponentëve ushtarakë Rusia dëshiron t’i japë Iranit.