Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se gjashtë kushtet e shefit të tij në Qeveri, Albin Kurti për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në fakt janë vetëm “parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizminin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve”.
Bislimi tha se ato i janë prezantuar edhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak dhe se ai ka probleme me dy prej tyre.
“Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushtet, por se cilat janë ato mund ta pyesni zotëri Lajçak kur është në Prishtinë”, shtoi Bislimi.
Ai gjatë prezantimit të agjendës për shënimin e 15 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, është treguar kritikues nga gazetarët, pasi sipas tij interesi më i madh i tyre është për Asociacionin sesa për festën e Pavarësisë.
“Asociacioni po iu intereson më shumë sesa festimi i ditës së Pavarësisë. Nuk besoj që për lexuesit dhe dëgjuesit është më i rëndësishëm Asociacioni sesa festa e Pavarësisë”.
Ai tutje ka sqaruar se për implementimin e marrëveshjes do të diskutohet me palët në Bruksel.
“Ajo që zotëri Kurti ka nxjerr pas takimit është informatën që ai është dakord me platformën e propozuar nga plani franko-gjerman, me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por platforma vetëm tregon principet”.
“Ndërkaq, gjithçka që ka të bëjë me implementim e saj do të diskutohet në aneksin implementuese mes palëve në Bruksel. Se si do të ecë sekuencimi i hapave, cilat marrëveshje nuk janë më të rëndësishme, cilat duhet të modifikohen e cilat duhet të zbatohet, për këtë pastaj diskutojnë palët në Bruksel”.
Bislimi shtoi se, “nuk ka pasur diskutim për asnjë prej marrëveshje paraprake, por për kornizën e propozimit franko-gjerman”.
Tutje Bislimi ka fajësuar kompaninë “Elektrosever” dhe Bashkimin Evropian për moszbatim të marrëveshjes për energjinë, të arritur në qershor të vitit 2022 mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e faturimit të rrymës në komunat veriore të Kosovës.
“E ka licencuar ‘Elektroseverin’ dhe e ka pajisur me kodin e identifikimit për energji. Janë nënshkruar marrëveshjet mes KOST-it dhe ‘Elektroseverit’, pikat e papërmbushura janë dërgimi i të dhënave të konsumatorëve, që është dashur të kryhet për 7 ditë nga ‘Elektroseveri’, që nuk ka ndodhur ende, pos disa të dhënave të falsifikuara të dërguara pas 100 ditësh”.
“Nuk është përmbushur as pika e nënshkrimit të marrëveshjes apo kontratës kornizë mes KEDS-it dhe ‘Elektroseverit’ e nuk është përmbushur as pika e pestë e marrëveshjes, që KEDS-i dhe KOST-i të kenë qasje të përhershme në nënstacionin në Valaq”, ka thënë ai.
Ai ka sqaruar se nuk janë përmbushur as obligimet e BE-së.
“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e marrëveshjes deri tani e ka vetë Brukseli apo ndërmjetësit në Bruksel, të cilët jo vetëm e kanë toleruar takimin në Stamboll, por edhe kanë dërguar sinjale të gabueshme tek ‘Elektroseveri’ përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të marrëveshjeve që s’kanë të bëjnë asgjë me udhërrëfyesin”, ka deklaruar ai.