28.9 C
Tirana
11 / 08 / 2026

BISEDE ME NJE MIK TE RRALLE

Nga Pashk Përvathi *

Sot m’u kujtua një mik.

Është prej atyre miqve që njeriu i mban në një skutë të zemrës, edhe kur për arsye nga më të ndryshmet mund të mos ketë kontakte me te për një kohë të gjatë.

Ky është kompozitori i famshëm Limos Dizdari, një mik, miqësia me të cilin është për mua veçse një nder.

Kisha në dorë një motiv të fortë për ta bindur në një kërkesë që vite më parë, kisha dështuar ta realizoja.

Para dy vitesh pikturova Delvinën. Ishte një nga ato vende të rralla që më kishte mbetur jashtë gjeografisë sime të pikturës. Dhe mendova: tani kam një mundësi reale t’i them mikut tim Limos se mund të shkëmbejmë Delvinën e tij me Peizazhin tim, “Vjeshtë buzë Drinit”të vitit 1984, që ai e kishte në Qendrën e Artit Dea, në Sarandë.

E dija që ai e donte shumë peizazhin e vjeshtes. E dija mirë, sepse në vitin 2011, kur Limozi organizoi koloninë e artit në nderim të mjeshtrit Abdurrahim Buza, kisha provuar ta merrja atë pikturë dhe kisha dështuar.

Por ai peizazh kishte mbetur në mendjen time edhe për një arsye tjetër.

Në dhjetor të vitit 2025 inaugurava PERVATHI GALERI, këtu në Lezhë. Dhe mendoja se pjesa e fillimeve të mia artistike do të plotësohej më bukur nëse në atë hapësirë do të ishte edhe ai peizazh i Vjeshtës, buzë Drinit.

Tani do t’ia marr, mendova me vete.

Ai e do shumë Delvinën e tij, ndërsa unë marr peizazhin.

Kështu kalova gjysmën e ditës duke kërkuar numrin e telefonit të Limosit. Numri që kisha nuk funksiononte. Sekretaria më tha se ai numër nuk ekzistonte më.

I shkrova Gazmend Mullait dhe Zhuliana Jorganxhiut.

Gazi më orientoi:

— Shkruaji Adrianës në Facebook. Edhe unë nuk kam numër, më tha. Limozi është tek vajza në Amerikë.

Menjëherë i shkrova Adrianës një mesazh të shkurtër. Kur pashë se ajo u përgjigj, nuk hezitova. I dërgova Limosit një mesazh zanor të gjatë.

Kisha edhe një dyshim: a do të ishte vetë Limozi në gjendje të më përgjigjej?

Dyshimi më ra menjëherë kur në ekran u shfaq portreti i tij.

— Ku je, mor patriot? — më tha. — Më ka marrë malli të të shoh e të ndërrojmë dy fjalë.

Nuk ndërruam dy fjalë.

Bëmë një bisedë të gjatë, për t’u shmallur, por edhe për të kuptuar unë më mirë të gjithë kalvarin që ai kishte përjetuar me Qendrën e Artit Dea.

— Më dhemb, Pashk, — më tha. — Më dhemb shumë për atë që më ka ndodhur. Ma morën të gjithën përdhunshëm dhe askush nga shteti nuk m’u gjend pranë për të më mbrojtur mua dhe gjithë atë pasuri kulturore që nuk e kisha për vete. E kisha për vendin tim, që e desha aq shumë. I ikën libra pafund, 5 piano dhe 376 vepra arti.

Dhimbja ishte e dukshme.

Nga ekrani shihja mikun tim dhe, në një çast, pashë edhe një lot që i rrëshqiti në faqe.

Më tregoi për shëndetin, që i ishte përkeqësuar pas asaj ngjarjeje, por edhe për një dritare shprese që kishte gjetur në qëndrimin pranë vajzës së tij në Amerikë.

Pastaj e riktheva bisedën tek aktiviteti i vitit 2011, kur ai organizoi ekspozitën-konkurs në nder të Abdurrahim Buzës e ku une, u nderova me çmimin e pare.

— Dëgjo, Limos, — i thashë. — Asokohe, kur ishim në Ksamil tek ju, jam çuditur me nismën tuaj për të lënë Tiranën. Ju ishit një personalitet i njohur në muzikë dhe në jetën shoqërore. Mendoja se i kishit të gjitha në Tiranë dhe nuk kishit pse të merrnit rrugën për Ksamil megjithese per hir te se vertetes aty ju kishit ngritur nje perandori artistike, shembull edhe per vete Tiranen.

Ai heshti një çast dhe pastaj më tha:

— Për pak patriotizëm, Pashk. Për vendin tim desha ta bëja. Por nuk më lanë. Dhe kjo është dhimbja më e madhe që mora me vete. Ti e don Shqiperine Pashk. E kuptoj nga vepra që bën, me aq dashuri kushtuar natyrës shqiptare. Rezisto, Pashk. Kohë të vështira po kalon Shqipëria jonë e dashur.

— Po, miku im, — i thashë. — Siç bëtë ju me aq pasion Qendrën e Artit Dea, edhe unë me ne fund realizova endrren e kahershme me PERVATHI GALERI ne Lezhe. Edhe unë, si ju, nuk e bëra për vete. E bëra për Lezhën.

Pastaj shtova, me një buzëqeshje:

— Peizazhin e Vjeshtës me duket se nuk do ta kem kurrë, megjithate ai peizazh më realizoi diçka tjetër. Më rigjeti me ju.

Kisha mall.

Dhe u gëzova shumë që e gjeta përsëri mikun tim, që, pas gjithë atyre peripecive, po gjente një dritare shprese dhe një përmirësim të shëndetit.

U ndamë me premtimin për t’u parë përsëri.

Por këtë herë u ndamë të dy më të lehtësuar.

Sepse, përtej peizazhit që unë kërkoja dhe që ndoshta nuk do ta kem kurrë, kishim gjetur diçka shumë më të çmuar: rastin për t’u shmallur dhe për të nxjerrë nga zemra gjithë atë duf të mbledhur për padrejtësitë që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin në këtë atdhe, të cilin të dy e kemi dashur aq shumë.

11 gusht 2026

  • *Piktura titullohet “Delvina”, me autor Pashk Përvathi

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x