Kreu i PD Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë, 20 tetor, në SPAK.
Berisha u paraqit në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të dhënë ndaj tij.
Berisha mbajti fjalën e tij përpara ambienteve të SPAK. Ai u shpreh se shteti shqiptar është në dorën e Irena Gjokës me 5 mbiemra.
“Ky është shteti i Irena Gjokës me 5 mbiemra. Është dënuar me vendim të formës së prerë dhe vazhdon që të jetë gjykatëse. Nuk mund të jetë gjykatëse, në momentin që është dënuar dhe nuk e ka deklaruar as në formularin e dekriminalizimit”, tha kreu demokrat.
Berisha theksoi se Irena Gjoka mbrohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
Po ashtu, Berisha deklaroi se Irena Gjoka nuk ka pasur kriteret, që të bëhet gjykatëse. “Çdo vendim i Irena Gjokës, që në ditën që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, nuk ka vlerë, sepse është marrë nga një person, që nuk mund të jetë gjykatëse”, tha ai.
Sipas Berishës, Irena Gjoka sot është gjykatëse, ose falë pushtetit të Edi Ramës, ose të ryshfeteve të ndryshme, që mund të ketë dhënë.
Ish-kryeministri Sali Berisha është nën hetim për akuzat e korrupsionit, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, së bashku me biznesmenin Fatmir Bektashi, përballen me akuza për përfshirje në afera korruptive dhe aktivitete të paligjshme të pastrimit të parave.
Në të njëjtën çështje penale, edhe dy persona të tjerë, Xhimi Begeja, bashkëpronar i Malltezit, dhe Andia Pustina, e punësuar si financiere në kompaninë “Homeplan”, janë vënë nën akuzë nga prokuroria për pjesëmarrje në struktura të organizuara për pastrimin e të ardhurave të dyshimta.