25.5 C
Tirana
03 / 10 / 2024

Berisha me dy standarde: Sot kërkon të hapen hetimet, më parë akuzonte Ramën se po trillon për lobimin rus

Sali Berisha duket se ka “harruar” cfarë ka thënë vite më parë për skandalin e financimit rus të Partisë Demokratike.

Teksa sot kërkon që të hapen hetime për raportin sekret amerikan se Partia Demokratike është financuar me rreth 500 mijë dollarë nga rusët në vitin 2017, në një intervistë të vitit 2018 thoshte se akuza ndaj Lulzim Bashës që ka marrë para nga rusët është shpifje dhe trillim.

‘Rithemelimi’ reagoi sot për raportin sekret amerikan duke thënë: “Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve. Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.”

Çfarë thoshte në 2018

Në një intervistë për Fax News aso kohe, Berisha e cilësonte si trillim të Ramës financimin rus për PD.

“Fushata për gjoja lidhje ruse elektorale të PD, është një trillim fund e krye i Ramës për të krijuar ngjashmëri me atë fushatë që është sot në SHBA kundër Trump, për të maskuar lidhjet e tij të cilat dora dorës do dalin në dritë, nafta dhe lidhje tè tjera. Por qëndrojmë këtu.

Ajo që mund të them unë për këtë pyetje është se u them shqiptarëve me përgjegjësi të plotë se PD nuk ka patur asnjë kontratë me asnjë kompani ruse. PD nuk ka marrë asnjë qindarkë nga rusët. Dhe së fundmi, PD nuk ka patur asnjë kontakt me rus biznesmenë apo të farëdo lloji tjetër. Kjo është e vërteta. Tjetra është një zhurmë me të cilën Edi Rama kërkoi të mbulonte 613 kg kokainë të ardhur tek klani e shumë gjëra të tjera.

Kush i fryn fushatës pro ruse? Është Soros një nga më kryesorët. Sepse Soros, për të justifikuar sulmet e egra që i bëhen thotë se këto mi nxit Putin. Nga i di unë këto? Po jua tregoj. Është një deputet gjerman që quhet Flickenstein. Kam patur muhabet me të dhe prap ruaj një lloj respekti. Ky vjen një ditë në Tiranë dhe deklaron se Berisha me këto deklaratat që bën për Soros është e habitshme se ai është personalitet i fortë dhe jo i dobët që të bëj deklarata të tilla. Ky kishte dalë në listën e konfidentëve të Soros në Parlamentin Europian, dhe unë i përgjigjem dhe i them se Georgen mik mbaje por mos e dëgjo.

Ky thërret dhe bën një takim me pesë shoqata të shoqërisë civile, që të pesta sorosiane, dhe u thotë të mos bëhen merak se ato deklarata që bën Berisha kundër Soros e shtyn rusët. Pra çfarë kuptova unë me këtë. Kuptova që kjo ishte një stisje sorosiane për të mbuluar veprimtaritë e tij”, tha Berisha aso kohe.

Historia e dosjes së lobimit rus nga PD

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Por kush fshihet pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe çfarë e lidh me rusët? Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit duke ngritur dyshime për origjinën e paravee  duke sjellë nisjen e hetimeve nga prokuroria.

Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke u shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

/javanews

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x