17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Bekimi dhe mallkimi i demokracisë së sotme në Shqipëri

Nga Ben Andoni

Shqipëria përjeton dekadën e tretë të shekullit të parë në mijëvjeçarin e ri me një sistem demokratik, për të cilin sot debatohet jo pak. A ka mundur të vendosë në trase përfytyrimin demokratik që kishte publiku, ardhur nga regjimi socialist? A mundi zhvillimi ekonomik të plotësojë si duhet nevojat dhe përfytyrimet e njerëzve? A ka mjaftuar liria e shprehjes të jetë një lloj justifikimi i dështimeve të qeverive PS dhe PD të pas viteve ‘90? A mundën të zgjedhurit tanë të bënin ligje të mira për zhvillimin e vendit? Vërtetë na përgjigjet kjo elitë politike?!

Një indeks i përvitshëm, hartuar nga “Economist Intelligence Unit”, i jep përmirësim të lehtë Shqipërisë (68) dhe e fut në fashën e “Demokracive me të meta”, ku para saj gjendet Serbia (63). Por, mbas i qëndrojnë tre shtete të tjera të ish-republikave jugosllave, respektivisht Maqedonia e Veriut (73), Mali i Zi (74) dhe Bosnjë Hercegovina (95). Metodologjia klasifikon katër kategori: demokraci e plotë, demokraci me probleme, regjim hibrid ose regjim autoritar (Për fat të keq, Kosova nuk klasifikohet ose më saktë nuk është e përfshirë në renditje). Shikohet se ka përmirësim bajagi të pjesës demokratike, por mbetet për të gjykuar mbi metodologjinë, paçka se Indeksi në formë kanonike mat gjendjen e demokracisë bazuar në procesin zgjedhor dhe pluralizmin, funksionimin e qeverisë, pjesëmarrjen politike, kulturën politike dhe liritë civile. Në të gjitha Shqipëria ka probleme, porse krahasuar me vitet paraardhës në segmente shikon edhe për përmirësime. Të cilat një kah i politikës i hedh poshtë kur është në opozitë, në funksion të glorifikimit kur vjen në pushtet! Paradoks. Por që e kupton se pa asnjë mëdyshje vjen falë ndihmave të mëdha që ka marrë vendi nga faktori ndërkombëtar dhe remitancat e vetë shqiptarëve. A mundemi të gjykojmë ndryshe për Shqipërinë? Në fakt, jo thjesht për kohën, por demokracia midis të gjitha formave të qeverisjes, jo vetëm tek ne rezulton më jetëgjati. Duke u mbështetur në minimumin e detyrimit dhe maksimumin e pëlqimit, me gjithë goditjet që ka marrë në vend nuk mund të mohohet se ka arritje.

Bekimi

Është disi e vështirë ta llogarisësh në mënyrë statistikore ndihmën ndaj Shqipërisë që prej rënies së sistemit socialist. Por, do të marrim një indikacion, i cili lidhet me ndihmën prej rreth 1,16 miliardë euro, premtuar Shqipërisë nga komuniteti ndërkombëtar, si mbështetje për përpjekjet për rindërtim pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit të vitit 2019. Gati 70% e ndihmës, referuar specialistëve konsiderohet si borxh, ku rreth €805 milionë euro të premtuara janë hua nga katër banka ndërkombëtare: Banka Islamike për Zhvillim (€365 milionë), Banka Botërore (€160 milionë), Banka Evropiane e Investimeve (€100 milionë), Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (€100 milionë) dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (€80 milionë). Bashkimi Evropian ka dhënë ndihmën më të rëndësishme (mbi €216 milionë), e cila është falas dhe e pakushtëzuar. Gjysmën e ndihmës së BE-së e premtoi Komisioni Evropian (€115 milionë) dhe pjesën tjetër vendet anëtare (€101 milionë). Duket se i gjithë ky proces që i hoqi Shqipërisë pasojat e tërmetit nuk do të ndodhte nëse vendi ynë do të ishte në konjuktura të tjera, por edhe pa këtë performancë në demokraci, që me gjithë problemet mbetet për t’u vlerësuar. Falë, këtyre konjukturave, Shqipëria për shembull vetëm gjatë periudhës 1993 – 2016, arriti që me ndihmën e remitancave të emigrantëve shqiptarë të mblidhte rreth 10-22 për qind të asaj që kemi nga PBB.  Kulmin e tyre remitancat e arritën ne vitet 2006 dhe 2007 me dërgesa mbi 900 milion euro. Në  vitet e fundit 2012 – 2014 remitancat kanë qene poshtë 300 – 400 milion euro në vit. Në dy vitet e fundit ky nivel dërgesash arriti mbi 600 milionë euro në vit, referuar Altax. Rezultati i lirisë ekonomike të Shqipërisë është 66.6, duke e bërë ekonominë e saj të 50-tën më të lirë në Indeksin e 2022-ës. Shqipëria renditet e 30-ta në mesin e 45 vendeve në rajonin e Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren botërore. Por a ia vlen ky model ekonomik, ku ndihmat dhe remitancat ndijnë brenda konturit demokratik. Mësimi i Afganistanit dhe sidomos tashmë i Ukrainës është i hidhur “duke derdhur sasi të mëdha ndihme në Ukrainë, tani përfituesi më i madh në botë i ndihmës së huaj, me mbikëqyrje minimale, komuniteti ndërkombëtar duket i gatshëm të përsërisë gabimet e tij të mëparshme. Ukraina ka nevojë për ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për të pasur ndonjë shpresë për të fituar luftën. Por çmimi i fitores nuk duhet të jetë e ardhmja demokratike e vendit”, vërejnë Jennifer Brick Murtazashvili dhe Nataliia Shapoval tek “Drowning Democracy”.

Gjatë pesë viteve të fundit, rritja ekonomike e Shqipërisë u rrit nga 2017 në 2018, u ngadalësua në 2019, u kthye negative në 2020 dhe u rimëkëmb në 2021. Një tendencë pesëvjeçare e zgjerimit të lirisë ekonomike ka rifituar vrull pozitiv, por megjithatë mbetet në rangun e mesëm të vendeve “Mesatarisht të Lira”. Madhësia e qeverisë dhe treguesit e tregjeve të hapura janë pozitive, por sundimi i ligjit mbetet problematik dhe kjo është ajo që publiku e konsideron si jo të drejtë, kurse opozita vrastare.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x