Djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të vizitës katërditore të babait të tij në Kosovë, duke falënderuar të gjithë qytetarët që i qëndruan pranë familjes gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Në një prononcim për KosovaPress, Altin Krasniqi bëri të ditur se vizita e të atit ishte shumë e rëndësishme, veçanërisht për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës së tij, Sevdije Krasniqi.
Ai gjithashtu dha një lajm për gjendjen shëndetësore të babait, duke theksuar se Jakup Krasniqi është mirë me shëndet.
“Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pas nevojë, ka qenë shkaku i gjendjes së nënës, që i falënderoj gjithë ata që na kanë mbështetur, gjithë qytetarët. Edhe babai ishte mirë me shëndet”, u shpreh Altin Krasniqi.
Jakup Krasniqi qëndroi për katër ditë në Kosovë, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i lejuan vizitën për arsye të forta humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Gjatë qëndrimit në vendlindje, ai kalonte disa orë çdo ditë pranë familjes në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ndërsa gjatë natës qëndronte në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me përcjelljen e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Pas përfundimit të katër ditëve, ish-kryeparlamentari u kthye sërish në Hagë, ku po mbahet në kuadër të procesit gjyqësor.
- “Babai është mirë me shëndet”/ Flet djali i Jakup Krasniqit pas kthimit të tij në Hagë, mesazhi prekës për qytetarët - 23/11/2026
- Berisha përsërit thirrjen për bashkim të Opozitës: Nisim negociatat me partitë e vogla, të largojmë Ramën nga pushteti! - 23/11/2026
- “Nëse përpiqen të më arrestojnë, do të nis grevë urie!”- Vuçiç kërcënon: Kur një milion njerëz të dalin në rrugë, çfarë do të bëni?! - 23/11/2026