6.5 C
Tirana
18 / 03 / 2025

“Ba, është mami aty rrotull”

Nga Sefedin Çela

Sa herë dëgjonin zërin tim në telefon, qoftë djali, qoftë vajza, thoshin, “o ba, dua mamin, “ba, është mami aty rrotull?”
Ndodhte shpesh kështu, edhe kur kishin ndonjë hall që duhet t’ua zgjidhja unë. Më kishin gjetur pikën e dobët: ato që thoshin për çka kërkonin mund të mos mjaftonin, por unë nuk ua prishja kur ndërmjetësja ishte ajo!
Ajo ua kishte marrë dorën, u vinte rrotull e i vinin rrotull, u hiqte veshin e i falte disa herë, hiq e mos këput, e kështu ata rriteshin para syve të mi. Kuptoja se rriteshin kur duheshin blerë këpucë të reja, bluza a pantallona të reja, se ato që kishin nuk i nxinin më.
Në gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjetë, kur për arsye pune kisha një numër telefoni celular, edhe kur e dinin që isha në shtëpi, ata më merrnin në këtë numër: alo, ba, e ke mamin aty rrotull?
Ato aparate celularë Alcatel ishin aq të mëdhenj sa duhej të mbaje me vete një çantë dore! Kompania e vetme AMC i kishte kapacitetet të limituara, kështu që me këto çanta – celularë në duar shihje vetëm një numur të paktë individësh, kryesisht zyrtarë. Pra ata ishin statuscelularë! Më dukej vetja një burokrat klasik, kot fare; asnjëherë nuk i kam dashur tipat e kollarisur, ata me çanta krahëqafë apo me çanta dore, as ata me syze dielli mbi kokë. Me atë çantë – celular nuk më pëlqente as vetja.
Nga thirrjet me këtë aparat kaba e jo me numrin fiks bëra zbulimin e madh: fëmijët donin të dija ku ishin, si ishin e çfarë u duhej, ata nuk fshiheshin! E kishin më thjesht ta thoshin këtë nëpërmjet së ëmës, alo, mami, do të vonohem pak në disko, mund t’i thuash dhe babit, mirë?
Nuk kam qenë asnjëherë ziliqar për marrëdhënien që kishin fëmijët me të ëmën, ato çuçuçutë me zë të ulët mënjanë, ato “ba, e ke mamin aty rrotull”, veç , në këtë moshë, kujtoj atë “distancën” që krijohej nga telefoni.
I rritur pa praninë e babait, nëna ka qënë për mua nënë e baba. Mbi kokën time kam ndjerë dy duart e buta të saj, jo katër duar, nuk kam ndjerë duart e rënda të babait.
Ndoshta nuk kam ditur të bëj sa duhet babain.
Nuk mjafton të duash, duhet dhe ta tregosh, duhen edhe çuçuçutë me zë të ulët mënjanë. Midis meje dhe atyre ishe ajo në mes!
Në gjysmë të viteve shtatëdhjetë një grup gazetarësh vizitoi Kinën. Revolucioni Kulturor ishte në rënie, por jehona e tij ende nuk kishte përfunduar. Teni, floriri i vogël, sa ishte kthyer nga riedukimi, s’kishte ardhur momenti të thoshte “nuk ka rëndësi nëse është macja e zezë a e bardhë, rëndësi ka të hajë miun”. Ne, ndërkohë, mendjen top, në gojë të ujkut hidhnim valle.
Nga ajo vizitë kam një radio të vogël sa një paketë cigareje; fshihej krejt midis dy duarve. Atëhere nuk kishte kufje e më the të thashë e duhet t’a mbaje pranë veshit për ta dëgjuar për qejfin tënd, si në këtë foto.
A thamë se të duash do të thotë të dish ta tregosh? Kjo radio e vogël sa një paketë cigare tregon se mund të shkosh në fund të botës, gjen një radio si kjo e të duket se ke gjetur si të gëzosh atë që pret në cepin tjetër tërë sy e veshë të kthehesh. Radioja kishte një kohëmatës me ekran sa një orë dore burrash, mund ta vendosje mbi tavolinë e të administroje orën e mësimit në atë shkollën me begsa e me komandant!
Merret me mend pse u desh të pritej disa muaj, me kutinë fshehur diku, derisa kjo radioorë të zbulohej e të dhurohej në 1 Mars! Thjesht ishte një transmetues lajmesh e muzike e një matës kohe.
Me këtë radio pranë veshit kjo zysha duket se është këtu rrotull. E ftillume!
Sot është 1 Mars, ky i uruar ka ardhur e do të vijë sërish vitin tjetër, do të ndërrohen sërish stinët e do të përtërihet sërish bota rreth. Është dita e saj e lindjes, të kujton si të qëndrosh mbi dy shtata, 77, si do të të duhet të ecësh një ditë më pas, si të durosh, si të duash…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x