Një zhvillim interesant ka ndodhur sonte në qiellin e Lituanisë. Avioni i Air Serbia, i cili ishte nisur nga aeroporti «Nikola Tesla» në Beograd drejt Moskës është urdhëruar të kthehet në Beograd. Sipas informacioneve jozyrtare të portalit Nova.rs, në avion ndodheshin kryetari i Lëvizjes së Socialistëve, Aleksandar Vulin, drejtori i «Srbijagas», Dušan Bajatović, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNP), Nenad Popović. Që të tre konsiderohen si njerëz të Kremlinit në Beograd. Vulin ka qenë edhe shef i shërbimit sekret serb, BIA, dhe njëri nga personat më besnikë të autokratit të mposhtur në zgjedhje, Aleksandar Vuçiq.
Sipas informacioneve që kanë siguruar mediat e pavarura serbe, avioni me numër fluturimi JU134 u nis në orën 18:48 dhe kishte arritur deri pranë një qyteti në jug të Lituanisë, kur u dha urdhri të kthehej në Beograd, siç thuhet, për arsye sigurie
Gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike, Srđan Milivojević, shtroi këtë pyetje në rrjetin social X: «E kush po ia mbath sonte për në Moskë me fluturimin e orës 18:30?»
Ndërkohë avioni është kthyer në Beograd. Sipas të dhënave të faqes Flightradar24, avioni u ul në Beograd pak para orës 22:00.
Nova.rs bën me dije se Vulin nuk iu nënshtrua kontrollit të sigurisë në aeroportin e Beogradit dhe arriti të hipte në avion. Sipas të njëjtave informacione, dyshohet se dikush e ka ndihmuar. Nova.rs thekson se, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, procedurat nuk ishin respektuar, përkatësisht se Vulin nuk i ishte nënshtruar kontrollit të sigurisë.
Aleksandar Vulin është politikan prorus dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Vulin ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm, ndërsa nga dhjetori 2022 deri në nëntor 2023 drejtoi shërbimin sekret serb, BIA.
Më 11 korrik 2023, SHBA-ja e sanksionoi për korrupsion, duke e akuzuar edhe për përfshirje në krim të organizuar dhe veprimtari të paligjshme me narkotikë. Sipas Thesarit amerikan, ai ndihmoi trafikantin e sanksionuar të armëve Slobodan Tešić dhe shfrytëzoi pushtetin për përfitime personale. Emri i tij lidhet me skandalin «tetka iz Kanade»: pretendoi se tezja e bashkëshortes nga Kanadaja i kishte huazuar 205 mijë euro për një banesë. Agjencia kundër korrupsionit nuk i besoi këtij shpjegimi; prokuroria e mbylli çështjen për mungesë provash penale.
Washingtoni e akuzoi gjithashtu se i kishte hapur rrugë ndikimit rus dhe veprimtarive destabilizuese të Moskës në Ballkanin Perëndimor. Opozitari rus Vlladimir Kara-Murza e akuzoi se ia dorëzoi Nikolai Patrushevit transkriptet e përgjimeve të opozitarëve rusë në Beograd më 2021. Patrushev është ish-drejtor i FSB-së, shërbimit sekret rus, dhe një nga këshilltarët më të afërt e me ndikim të Vladimir Putinit në çështjet e sigurisë ruse. Vulin është ndër promovuesit kryesorë të «srpski svet» – «botës serbe», koncept që synon bashkimin e serbëve përtej kufijve të Serbisë.
(Marrë nga profili i gazetarit të njohur Enver Robelli)

- Avioni që nuk arriti nga Beogradi në Moskë: A tentoi të arratiset në Rusi Aleksandar Vulin, njeriu më i afërt i Vuçiqit? - 03/11/2026
- CNN: Trump pranon privatisht se rezultatet e zgjedhjeve mund të jenë skenari më i keq për Partinë Republikane! - 03/11/2026
- Champions/ Nuk ka mëshirë për spanjollët, PSG turpëron Villarrealin, Bayerni mposht Atleticon në shtëpi, Manchester United përmbys Romën nga 0-2 në 3-2 - 03/11/2026