Nga Zefina Hasani
Personazhet e njohur, në kohët kur isha gazetare dhe i intervistoja, nëse i pyesje për punët, projektet e reja, flisnin pafund, deri në detaje. Pastaj ndërsa pyetjet shkonin drejt jetës private, ata ngurtësoheshin. Refuzonin, e anashkalonin ose e tjetërsonin të vërtetën e tyre.
Me ata/ ato që krijoja një marrëdhënie konfidenciale ndër vite, më ndodhte edhe më keq se refuzimi. M’i tregonin brengat dhe hallet e tyre, por për fat të keq gjithçka që thuhej, duhej të mbetej në tavolinë. Nuk mund të kalonte as në bllokun tim të shënimeve e aq më pak në shkrimin tim.
Rrëfimi me zemër të hapur mbetej peng i marrëveshjes: të lutem këto po t’i them ty, që të arrish të më kuptosh më mirë, për profilin që do të shkruash, por të lutem mos i shkruaj që t’i lexojnë të tjerët.
Sa e sa herë jam ngritur nga ato rrëfime, me brengën e një gazetareje: sa keq që s’i shkruaj dot. I qëndroja besnike marrëveshjes së pashkruar. Më mbetej të ngushëllohesha në ato të pakta raste kur ndodhte që ndonjë personazh të hapej pa asnjë kompleks: siç ka qënë psh. rasti i Eda Zarit, e cila më rrëfeu gjithë peshën e rëndë që i ishte dashur të mbante gjatë viteve të Liceut, kur të tjerët e përqeshnin dhe e paragjykonin për ngjyrën e lëkurë së saj.
Eda ndoshta e gjeti guximin ta zbraste për revistën “Klan” atë brengë, sepse kishte vite që kishte ikur nga Shqipëria. Ndoshta sepse se ndjente më peshën e opinionit publik në Shqipëri. Peshë nga e cila personazhet publik që jetonin ende në Tiranë, nuk e injoronin dot. Frika e tyre ishte: çfarë do të thonë të tjerët!?
Ndaj gjithmonë kanë pasur frikë të flasin për shqetësimet, sëmundjet, problemet e tyre personale e familjare. Kanë treguar për median vetëm atë pjesën e bukur, të mirën, atë që thuhet (apo sajohet) lehtësisht, pa pasur ndrojën e asnjë paragjykimi. Derisa vit pas viti shoqëria jonë nisi të zaptohej nga bota e shkëlqimit (të rremë) nga sipërfaqësorja, nga idealizimi… aq sa shumëkujt i dukej se personazhet e njohur jetonin një jetë fantastike, ku për hallet e lotët, s’kishte fare vend.
Çfarë nuk ishte aspak e vërtetë. Çfarë në fakt ishte një flluskë e madhe që u fry e u fry derisa duhej të shpërthente.
Dhe ky moment duket se ka ardhur.
Janë pikërisht ata, personazhet publikë, që dikur s’guxonin, që sot po flasin për gjithçka, nëpër intervista e libra.
Edmond Tupe mendoj se ka qenë ndër të parët që ka rrëfyer pa asnjë ngurim dhimbjen që shkakton në shpirt e shtëpi, një fëmijë autik.
Elsa Lila, Mehdi Malkaj, Albano Bogdo, Enada Hoxha, Alma Bektashi, Rudina Dembacaj… kanë folur për problemet që sjell alkooli, droga, depresioni, divorci apo dhe qelia e ndrydhjes së lirisë dhe integritetit.
Mira Kazhani shkroi një libër të tërë me të vërtetat e saj, jo vetëm për sëmundjen por për gjithë zhgënjimet dhe dhimbjet ndër vitet e jetuara, profesionale e personale.
Dhe së fundmi Jonida Maliqi zbrazi prej vetes një rrëfim që e mori përpara, në një rrjedhë aq njerëzore, të domosdoshme… derisa zbraz përpara Arbana Osmanit (dhe audiences) gjithë zemrën e stomakun.
Foli për veten si kurrë më parë, si të ishte dukur folur me një mike të ngushtë e jo me gjithë audiencën. Iu drodh buza e mjekrra ndërsa tregoi për herë të parë gjendjen me të birin (shkrimet për të cilin dikur e acaronin shumë); vendimin për divorcin, për të cilin mamaja se kishte mbështetur; për dashuritë për ndarjet; për mirënjohjet ndaj njerëzve që dijnë të qasen në jëtë…. E shkuara dhe e tashmja (që gjithmonë media ja kish trajtuar sipas gjithë hamendësimeve) tashmë ishin shtruar aty këmbëkryq me Jonidën, pa pengje, pa urrejtje, si rrjedha normale e jetës që pasi të sfidon e të lodh, duhet pranuar e marrë nën frerë. Si argument që askush nuk ka faj. Si shenjë rritjeje, pjekurie e rehatie. Si bindje se ishte koha për të thënë vetë të vërtat që të tjerët t’i kanë tjetërsuar.
Ishte ky një lloj rrëfimi për të cilin dëgjuesit kanë nevojë, për të hapur zemrën e mendjen, për të zbehur inatet e vreret, për të kuptuar sa jeta e VIP-ave është si jeta e çdo qënieje tjetër njerëzore; për të ndaluar së bullizuari, paragjykuari e sharë në anonimatin e social medias. Sepse pas çdo imazhi të bukur është një jetë që shpesh herë edhe dhemb.
Ishte ky një rrëfim për të cilin më së shumti vetë Jonida kishte nevojë: për t’i dalë si kurrë më parë përpara audiencës pa asnjë filtër e sajesë, pa asnjë hezitim se çfarë do të thonë të tjerët. Një sfidë kjo e fituar ndërkaq mbi kohët, kur ajo ishte ajo artistja që hapte debat të forte thjesht për një titull të guximshëm nëpër shkrime e jo më t’i zbuloje detaje të tilla, siç ajo i tha vetë, aq natyrshëm.
Ashtu këmbëkryq me veten dhe të vërtetat e saj.
- Ata, po flasin! - 05/03/2026
- Drejtori i Mjedisit sherr brenda institucionit me zyrtarin e IKMT/ Inspektorati i Përgjithshëm i pezullon nga detyra: Asnjë incident nuk do të kalojë pa përgjegjësi - 03/03/2026
- LIVE/ Protesta e opozitës, Berisha dhe tubuesit nga Kryeministra shkojnë drejt Policisë së Shtetit. Hidhen molotovë - 28/02/2026