Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas arrestimit të ish-deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja. Ai thotë se “aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat”.
“Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjësim i zgjedhjeve të lira dhe vdekje e demokracisë. Bardhi thotë se pavarësisht se kryeministri Edi Rama i ka konsideruar si shpifje akuzat e opozitës, sot ato provohen ndërsa kreu i qeverisë “fshihet dhe hesht”.
“Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to. Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër”, shprehet Bardhi.
SPAK njoftoi këtë të hënë se Çyrbja në disa raste ka zbuluar sekrete shtetërore duke vënë në dijeni persona në kërkim për operacione policore e kontrolle në Durrës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, edhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, Çyrbja i ka ofruar favorizime të ndryshme Altin Hajrit. Prandaj për këtë arsye ndaj Çyrbjes rendojnë veprat penale “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, “Tregtimi i sekretit shtetëror”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje”.