31.5 C
Tirana
19 / 06 / 2024

Ambasadorja e BE: Shqipëria duhet të dalë nga lista gri e pastrimit të parave

Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann shprehet se lufta kundër trafikimit, pastrimit të parave dhe korrupsionit janë prioritetet e Shqipërisë.

Deklarata u bë në takimin e përbashkët me pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreut të SPAK Arben Kraja, ku u prezantua programi ‘EU4LEA’; ‘Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri’ të financuar nga BE për sigurinë.

Hohmann e cilësoi kusht daljen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave, ndërkohë që vendi ka nisur rrugën e plotësimit të kapitujve pas çeljes së negociatave.

Diplomatja e BE-së renditi 5 çështje kritike, sa i përket institucioneve të BE-së, që sipas saj do të kërkojnë vëmendje të veçantë nga ana e institucioneve të BE në procesin e integrimit.

Ambasadorja e BE-së bëri me dije se në datë 3 dhe 4 nëntor, Tirana do të mirëpresë takimin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e drejtësisë.

“Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së.

Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore.

Së pesti; zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta.

Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme në këtë përpjekje, prandaj jemi këtu. Ky projekt për zbatimin e ligjit është këtu. Sipas këtij projekti shtete anëtare janë të gatshme për të bashkuar forcën që të japin ekspertizën e duhur. Duhet të punojmë së bashku për një Shqipëri më të sigurt.

Shqipëria duhet të dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi te angazhimi juaj i plotë. Në një botë që është gjithnjë edhe më e turbullt bashkëpunimi në fushën e drejtësisë duhet të jetë më i fortë. Kjo kërkon edhe një dialog të fortë në nivelin politik. Në 3 dhe 4 nëntor Tirana do të mirëpresë takimin ministerial mes BE dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ajo.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x