Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrie Hovenier, tha se Uashingtoni dëshiron që ta shohë Kosovën të ketë sukses dhe të avancojë, duke shtuar se mbetet i përkushtuar në partneritetin me Prishtinën. Këtë deklaratë diplomati amerikan e bëri pas takimit të lamtumirës që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën, vendosën kurora lulesh pranë shtatores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA-së këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, theksoi ambasadori i SHBA në Kosovë.
Hovenier pas homazheve pranë shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, vlerësoi këmbënguljen e tij për një shtet sovran, demokratik dhe shumë etnik.
“E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Jeffrie Hovenier.
Hovenier ka shërbyer si ambasadori i SHBA-së në Kosovë në tre vjetët e fundit. Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani tha se angazhimi i Hovenierit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë i pandalshëm. Osmani theksoi se miqësia me SHBA-të bënë që shteti i Kosovës të ecën përpara në mbrojtjen e plotë të integritetit territorial.
- “Jam i qetë dhe i vendosur…”, Rama komenton rastin e Veliajt: Një hetim s’të bën fajtor! Gjyqet s’bëhen në media - 28/12/2024
- VIDEO/ “Këndon prifti nga belaja”, deputetët e PD-së duke kërcyer me këngën për Berishën - 28/12/2024
- Tragjedia në Kazakistan/ Putin merr përgjegjësinë dhe i kërkon falje presidentit të Azerbajxhanit - 28/12/2024