Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, po pret shpjegim nga Serbia se çfarë lloj dokumenti bashkëpunimi është nënshkruar me Rusinë, pas bisedimeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Në një konferencë për shtyp pas hapjes së forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat antikorrupsion në kohë pasigurie gjeopolitike”, Hill tha se “nuk është plotësisht e qartë” se çfarë përmban dokumenti, por se “në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë”.
“Askush nuk nënshkruan asgjë (me Rusinë). “Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por presim një shpjegim”, tha Hill.
Ambasadori shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në heqjen e varësisë së saj energjetike nga Rusia “e cila bazohet në shantazh”, por se kjo ndihmë do të jetë aq sa kërkon Serbia.
Hill tha se SHBA-të duan të dëgjojnë se çfarë dëshiron Serbia duke nënshkruar një marrëveshje me një vend që “sulmoi brutalisht fqinjin e tij” dhe kërcënon të përdorë armë bërthamore.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviç dhe Sergej Lavrov, nënshkruan më 23 shtator në Neë York “Planin e Konsultimit të Ministrive të Punëve të Jashtme” të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.
Prejse është emëruar ambasador i SHBA-ve në Serbi, Hill ka pasur një qasje pozitive, duke lëvduar në disa raste punën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, saç ishte rasti me dialogun në Bruksel.
Në një tjetër deklaratë, ai kishte thënë se Serbia duhet të ndihmohet edhe ushtarakisht.