Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Plavë dhe Guci, ku u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar atje, si dhe mori pjesë në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare-Vuthaj 2026”.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit e vlerësoi këtë aktivitet si një urë që bashkon shqiptarët me vendlindjen, ruan identitetin kombëtar dhe forcon lidhjet mes brezave.
“Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Në këto male janë ruajtur zakone, këngë, veshje e mënyra jetese që i japin identitet kulturës sonë kombëtare. Kush vjen këtu nuk gjen vetëm bukuri, por edhe kujtime dhe një mënyrë jetese që ruan ende lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës, mes traditës dhe së ardhmes”.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare, duke nënvizuar se komuniteti i Plavës dhe Gucisë ka dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe në zhvillimin e Malit të Zi.
Gjatë aktivitetit, Presidenti Bajram Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, si vlerësim për kontributin e tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë.
- Zgjidhet Presidentja e Kosovës/ Kosova zgjedh Presidenten e re, Justina Shiroka Pula kryetarja e shtetit pas marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe PDK-së në minutat e fundit - 07/10/2026
- Kuvendi i Kosovës miraton ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, 88 vota pro - 07/10/2026
- Ismail Lulani, kumtuesi i epshit të ngjyrave shpuese dhe poetikës shprehëse në pikturën shqiptare - 07/10/2026