1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

A do të fitojnë të humburit këtë herë?

Nga Frrok Çupi

Po shfaqen disa rrugë, sado të ngushta, se si mund të na marrë zvarrë humbja.

  1. Rruga fillestare:
    Shpesh i bëjmë kirurgjinë vetes, domethënë kombit që i përkasim, dhe zbulojmë se në momente ndriçimi ose kthesash, kemi mbajtur anën e gabuar. Nuk është vetëm kombi ynë që e bën këtë, por nga ‘dëshira për mirë’ mund të jemi kritikë më shumë ndaj vetes.

Vëzhguesit e kujdesshëm po thonë se bash në kohën kur kombi ynë po instalohet në radhimin drejt Perëndimit, një grupim i madh politik i vendit (PD, etj) ka hedhur spirancat drejt Rusisë dhe ndoshta edhe Iranit; atje financohen, atje shesin shpirtin dhe mbajnë shpresë. Fqinjët tanë që ishin në atë pozitë, po luhaten për kah Perëndimi; ndërsa ne që nuk kishim punë me Kremlinin e Teheranin, po i shtrijmë dorën (!).

Pse?, thua.

Veç lëkurës sovjetike të liderit komunist të PD dhe disa komunistëve të tjerë ‘antikomunistë’, kësaj here është helmi i urrejtjes së ‘Grupimit’, urrejtje ndaj vendit të tyre. Shqipëria tani është vënë në radhën e fuqive dhe qytetërimit të përparuar, si e barabartë. Mes këtyre dhe atdheut po ndodh si në natën me hënë të plotë: Natën me dritë banditët nuk dalin në gjuetinë e tyre. Këta mendojnë se përparimi i kombit hedh dritë mbi korrupsionin e tyre, mbi qeverisjen e tyre të shkuar plot krime e shëmtim. Kjo është: ‘Ndriçimi’ i çon në urrejtje kundër vendit, urrejtja kundër vendit i çon drejt Moskës, Moska i çon kundër Uashingtonit.

Ka ndodhur edhe më parë shtegtimi ‘triumfal’ drejt katastrofës, në vitin 45, në vitin ‘’67, në vitin ‘92, në vitin ’97, ‘98 e ‘2005. Që në shtator 1833 është shënuar botërisht përdorimi i shqiptarëve kundër rrymës së kohës në botë. Perandoria Otomane po binte; ky ishte imperativi i kohës. Një shqiptar i madh, Mehmet Aliu kishte marrë në dorë frenat e Egjiptit dhe sovranitetin e Arabisë Saudite e Sirisë. Perandoria nuk mund ta kalonte shtegun e Mehmet Aliut. Atëherë u shfaq njëfarë Rashid Pasha, shqiptar, që i doli garant Portës së Lartë: ‘Shqipëria është e imja, do të shkoj të mbledh ushtarë!’, për dobi të Sulltanit. Mblodhi 15 mijë por prapë i humbur… Shqipëria, e kujt është, e këtyre?

Këtë frikë ndjejnë njerëzit se mos fitojnë të humburit që janë po mes nesh.

  1. Rruga mes Shën Pjetrit dhe Dragoit:

Do të fitojë Drejtësia e re apo Drejtësia e vjetër? Drejtësia e re është në rolin e Njeriut ose të Shën Pjetrit- sipas Gustav Moreaut. Por a do ta mundë Drejtësia e vjetër?

Drejtësia e vjetër është vetë vdekja e këtij kombi. Por është ende shumë e fortë, e vërteta kjo është; me gjithë përpjekjet e fuqive të mëdha (SHBA dhe BE) për ta mundur si përbindëshin. Kot thonë se ‘jemi mirë’; në fakt drejtësia e vjetër po merr hak, po vret shpresa e njerëz, po shemb të drejtën, po dhunon njeriun dhe shtetin. Vendi është në luftë me gjithë botën që ndodhet në rrezik; por vendi ynë ka edhe luftën e brendshme me Drejtësinë e vjetër. Nëse luftëraët iranianë hyjnë e sulmojnë në Shqipëri, nuk mund të gjendet as prokuror e as gjykatës që të lëshojë urdhër arresti. Këta blihen menjëherë nga Irani. Para pak ditësh vetë kryeministri deklaroi se shtetit ‘ia blejnë prokurorët dhe gjykatësit’. Bosët e ‘drejtësisë’ po tentojnë të blejnë edhe Amerikën e Britaninë e Madhe. Po sikur të na blejnë edhe fqinjin ku kalojmë në të njëjtën rrugicë përditë; nga do të kalojmë pastaj?

Ky është ‘Dragoi’ që vret Shën Pjetrin, sipas Gustav Moreaut. Artisti francez i shekullit 19, piktor simbolist i solli dy figurat mitike në përleshje si mes të mirës e të keqes. A do të fitojë Dragoi kësaj here?

  1. E padrejta duket se po fiton, por a do të fitojë edhe e pavërteta?

Lajmësi po na sjell më shumë lajme të rreme se të vërteta; media o nuk besohet, o shtrembëron gjithçka. Dezinformimin, bota e përparuar po e konsideron po aq të dëmshëm sa edhe armët ruse mbi Ukrainë. E drejta po sulmohet nga përbrenda. Ne nuk dimë kush është kush e çfarë është çfarë. Shpesh herë media luan si prokuror, gjykatës e inkuizitor; njeriu nuk ka shteg nga del veçse të lejojë ta shkelin edhe lajmësit e vet. Kjo është humbja jonë, ‘gia’ ka ndodhur.

As në kohët antike nuk ishte parë kështu. Zjarrvënësit në Greqinë e Lashtë dënoheshin me çmimin më të lartë: Ndalohej të përmendej emri i tyre në publik.

Zjarrvënësi i tempullit të Artemisës, Herostrati qe më i famshmi që u dënua me këtë ‘paragraf’. Në epokën dhe në vendin tonë zjarrvënësit e identifikuar dhe të vënë nën hetim i kemi në ekrane dhe në rreshta fjalësh nga mëngjesi deri në mbrëmje. Me kë është media?

Me kë?… Pyetja më çon në një lajm të vitit 2014. Festohej ditëlindja e kryetarit të Parlamentit, tanimë i vënë nën hetim nga SPAK, pasi la presidencën. ‘Në festën e kryetarit të Kuvendit morën pjesë 105 gazetarë…’, shkruan lajmi i asaj dite…

A e kemi betejën të lëshuar para këmbëve të të humburve?…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x