SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit të shtunën në mëngjes, pas asaj që ushtria izraelite e përshkroi si muaj të tërë “planifikimi të përbashkët”. Izraeli tha se sulmet e tij kishin në shënjestër udhëheqësin suprem të Iranit, presidentin dhe kreun e forcave të armatosura.
Presidenti Donald Trump e përshkroi fushatën ushtarake të SHBA-së si “masive dhe në vazhdimësi”. Ai u bëri thirrje iranianëve të “marrin në dorë qeverinë tuaj”. Trump gjithashtu akuzoi Teheranin se po punonte për të rindërtuar programin e tij bërthamor pas sulmeve masive të SHBA-së verën e kaluar, për të cilat më parë kishte pretenduar se i kishin shkatërruar plotësisht objektet. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Teherani iu përgjigj sulmeve duke ndërmarrë një valë të paprecedentë goditjesh drejt Izraelit dhe objektivave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Shpërthime u raportuan në disa vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Katarin.
Operacioni izraelito-amerikan u krye nga forcat ajrore të izraelit. Ministri i Mbrojtjes së Izraelit njoftoi një sulm parandalues ndaj Iranit. Mediat iraniane kanë konfirmuar shpërthimet.
Në kohën e sulmit, IDF lëshoi një paralajmërim kombëtar për të gjithë qytetarët që të qëndrojnë pranë zonave të mbrojtura.
“Ky është një paralajmërim paraprak me qëllim përgatitjen e publikut për mundësinë e lëshimit të raketave drejt shtetit të Izraelit”, tha IDF.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi tre shpërthime në qendër të Teheranit. Tym i dendur po ngrihet nga qendra e Teheranit, raportoi agjencia iraniane ISNA.
FARS raportoi gjithashtu se raketat goditën lagjen qendrore Jomhouri të kryeqytetit iranian dhe rrugën ku ndodhet Universiteti i Teheranit.
Autoritetet në Teheran thuhet se po inspektojnë të gjitha zonat e prekura dhe kanë rritur masat e sigurisë në kryeqytet.
11:57 Sulmet izraelite në Iran, CNN: Objektiv ishin udhëheqësi suprem dhe presidentin e Iranit
Sulmet e Izraelit ndaj Iranit të shtunën në mëngjes kishin në shënjestër figura të larta iraniane, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe Presidentin Masoud Pezeshkian, thanë për CNN dy burime izraelite të njohura me operacionin.
Udhëheqësit dhe autoritetet botërore kanë filluar të reagojnë ndaj lajmit se SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj Iranit, ndërsa Teherani po u përgjigjet këtyre sulmeve me goditje të veta në Lindjen e Mesme.
Një person ka humbur jetën nga mbetjet që binin pasi mbrojtja ajrore ndërpreu raketa iraniane që synonin bazat amerikane në Abu Dabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke cituar ministrinë e mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe. Ministria e mbrojtjes tha se viktima ishte një shtetas aziatik.
Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së fuqishme të Rusisë, ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump pas ofensivës që SHBA dhe Izraeli ndërmorën ndaj Iranit sot. “Paqebërësi e tregoi edhe një herë fytyrën e tij”, tha Medvedev.
11:10 Vijon kundërpërgjigja në disa fronte nga Irani, pas Bahreinit e Abu Dabit goditet dhe Doha
Shpërthime janë dëgjuar edhe në Doha, kryeqytetin e Katarit pas njoftimeve se Irani po godet edhe aleatët e tjerë të SHBA-së në Lindjen e Mesme, përveç Izraelit. Ministri i jashtëm i Iranit tha se përgjigjja e Iranit do të jetë shënjestrimi i të gjitha bazave ushtarake amerikane në rajon, sipas ministrisë së jashtme irakiane.
11:01 Irani në ndërprerje pothuajse totale interneti, vetëm 4% e vendit kanë akses në rrjet
Irani po përjeton një ndërprerje pothuajse totale të internetit, sipas organizatës mbikëqyrëse të lirisë online Netblocks. “Konfirmuar: Të dhënat e rrjetit tregojnë se #Irani tani është në mes të një ndërprerjeje pothuajse totale të internetit me lidhje kombëtare në 4%”, shkroi Netblocks në një postim në kanalin e saj Telegram.
Kundërpërgjigja iraniane ndaj sulmeve të sotme nuk është kufizuar vetëm në Izrael, pasi mediat e huaja raportojnë se ka patur shpërthime të shumta në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar, vende të cilat kanë baza amerikane. Irani kreu sulme me raketa në një bazë amerikane në Bahrein, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars e Iranit.
Djali i Shahut të fundit të Iranit, Reza Pahlavi ka reaguar pas operacionit amerikano-izraelit ndaj Iranit. Në një status të postuar në mediat sociale Pahlavi shkruan: “Ndihma e premtuar nga Trump ka mbërritur. Megjithatë, fitorja përfundimtare do të jetë në duart tona. Ne, populli i Iranit, do ta përfundojmë detyrën në këtë betejë”.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftoi se po nis një kundërsulm, sipas një deklarate të postuar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim në Telegram. “Në përgjigje të sulmit armiqësor dhe kriminal të armikut ndaj Republikës Islamike të Iranit, ka filluar vala e parë e gjerë e sulmeve me raketa dhe dronë të Republikës Islamike të Iranit drejt tokës së pushtuar”, thuhet në deklaratë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Iran, pas shtimit të tensioneve izraelito-iraniane. Pas sulmeve që Izraeli kreu në Iran, Ministria njofton shqiptarët që jetojnë në Republikën Islamike të tregojnë kujdes, teksa ka publikuar edhe numrat ose e-mail ku mund të kontaktojnë konsullatat.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u drejtohet qytetarëve të vendit pas fillimit të një operacioni të përbashkët izraelito-amerikan kundër Iranit. Në deklaratën e tij, ai thekson kërcënimin që paraqet regjimi iranian, paralajmëron për ambiciet e tij bërthamore dhe i bën thirrje popullit iranian të përmbysë diktaturën.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit. Kjo vjen ndërsa Associated Press raporton se shpërthime janë dëgjuar në Izraelin verior. Forcat Ajrore Izraelite kanë thënë se po veprojnë për të ndërprerë dhe goditur kërcënimet aty ku është e nevojshme.
09:06 7 raketa shpërthyen pranë rezidencës së liderit suprem Ali Khamenei, Irani: Do hakmerremi
Disa shpërthime u dëgjuan në lagjen Pasteur të Teheranit, ku ndodhet kompleksi ku ndodhet rezidenca dhe zyra e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, sipas mediave shtetërore iraniane. Agjencia e Lajmeve Fars raportoi se të paktën shtatë raketa goditën zonën.
Presidenti Donald Trump konfirmoi në një video të postuar në mediat sociale se Shtetet e Bashkuara kanë filluar një fushatë ushtarake në Iran. “Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm”, tha presidenti në video.
“Në vijim të situatës së jashtëzakonshme u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Izrael të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e sigurisë së autoriteteve vendore”, kështu thuhej në njoftimin e tyre.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulme parandaluese ndaj Iranit këtë mëngjes, me shpërthime të dëgjuara në Teheran, ndërsa Izraeli shpalli gjendje të jashtëzakonshme.
Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei nuk është në Teheran, tha një zyrtar iranian për Reuters dhe është zhvendosur në një vend të sigurt. Më parë, Associated Press raportoi se një sulm në kryeqytet ndodhi pranë zyrave të Khameneit.
08:10 Sulmet e Izraelit në Teheran, CNN: Ofensiva ishte e koordinuar me Shtetet e Bashkuara
Sulmi i Izraelit ndaj Iranit sot u koordinua me Shtetet e Bashkuara, tha një burim izraelit për CNN. Në këtë fazë të hershme është e paqartë nëse ishte një sulm i njëanshëm izraelit apo nëse forcat morën pjesë gjithashtu në sulm. Sulmi izraelit shënjestroi raketat balistike dhe lëshuesit e raketave, të cilat Izraeli i ka parë si një kërcënim serioz.
- ANALIZA/ Pse Trump sulmoi Iranin tani? Gjashtë arsyet që e bindën Presidentin - 28/02/2026
- Kush është (dhe ku është) Khamenei, Ajatollahu që nuk është larguar nga Irani që nga viti 1989 - 28/02/2026
- “Mund të ketë dhunë”/ Policia njoftim zyrtar për protestën e opozitës: Nuk marrim përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit - 28/02/2026