13.5 C
Tirana
27 / 02 / 2026

“Rama gjeti një zgjidhje”/ Akademiku Artan Fuga analizon ndryshimet në qeveri: Presioni i europianëve është rritur

Ndryshimet në kabinetin qeverisës ishin një vendim i detyruar për të mos ndalur rrugëtimin e Shqipërisë në familjen europiane, mendon akademiku Artan Fuga.

Në një analizë për Top Channel, vendimmarrja e kryeministrit për zëvendësimin e Belinda Ballukut me Albana Koçiun, shoqëruar edhe me ndërrime të tjera në qeveri, për Fugën është një hap pas në tentativë për t’u dukur e padukshme.

“Mua më duket që dje Rama i dha një zgjidhje asaj që kërkohej prej kohësh nga SPAK. Pra, një përpjekje për t’u tërhequr në atë mënyrë që nga jashtë të konsiderohej si një ndryshim për gjithë qeverinë?”, thotë Fuga.

Kryeministri ka vendosur edhe në presionin e ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan marrjen e përgjegjësive personale, thekson Fuga, i cili i quan ndryshimet e emrave në qeveri pa ndikim në procesin e anëtarësimit.

“Lëvizja e ministrave që kanë 2-3 muaj që janë emëruar, çka do të thotë që nuk kanë autonomi e kjo ndodh në model qeverisje piramidale. Çështja e integrimit nuk është çështje ministri. Por kemi çështje që ka të bëjë me gjendjen e të drejtave të njeriut, drejtësisë, korrupsionit”, shton akademiku.

Integrimi për profesor Fugën është gjeopolitik, por lëvizjet e fundit të Kryeministrit Edi Rama me pranimin e ftesës së Donald Trump kanë shkaktuar edhe një krisje me BE: “Mos harrojmë, pjesëmarrjen e Shqipërisë në bordin e paqes. Por një e carë midis Shqipërisë dhe BE është krijuar, sepse politika e jashtme europiane nuk është paraqitur”.

Në këto rrethana, analizohet më tej se shoqëria shqiptare po përballet me një krizë pasigurie mbi të ardhmen.

“Shumë aspekte të shoqërisë kanë mbetur pezull: Marrëdhënia midis drejtësisë dhe pushtetit, marrëdhënia midis opozitës dhe pushtetit, Shqipërisë dhe BE apo SHBA. Njeriu në jetën e përditshme thotë e kam problemin e zgjidha. Në jetën shoqërore nuk funksionon kështu, nuk zgjidhet me shkop magjik. Dhe sa kohë klasa politike nuk e vë gishtin se cilat janë problemet reale, por merret me propagandën, problemet do të vazhdojnë”, shprehet Fuga.

Fuga kritikon edhe strategjinë e opozitës, që pa pasur numrat e deputetëve në Parlament për të ushtruar presionin ndaj qeverisë, po gabon në mënyrën e kërkimit të llogaridhënies: “E di historia, shkenca politike në momentin kur pesha politike në Parlament nuk luan rol, ajo paguan një lloj bjerrje të mbështetjes që ka në opinionin publik. Ka një lloj dyshimi, mosbesimi edhe për faktin se shumë figura të opozitës janë të ezauruara. Atëherë radikalizohen në lëvizje në rrugë. Ku flitet për revoltë paqësore e mbaron me shishe benzinë të hedhura. Efekti është zero!”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x