Nga Avni Selmani
Në realitetin shqiptar rrallë ndodh që një figurë politike të mos krijojë reagime të kundërta, por në rastin e Edi Ramës ky fenomen duket edhe më i theksuar. Çdo deklaratë e tij për Kosovën pritet me interes, komentohet gjatë dhe shpesh kalon nga ajo që thuhet te dyshimet për qëllimet e tij. Kjo flet më shumë për mënyrën si reagon opinioni publik sesa për vetë deklaratën.
Përtej asaj se si interpretohen veprimet e Ramës, mbetet fakti se ai pothuajse çdo herë kur i është dhënë rasti në konferenca ndërkombëtare e ka ngritur çështjen e Kosovës dhe temat që lidhen me të. Qoftë në Këshillin e Evropës, në takime të aleancës veri atlantike apo në forume të tjera politike, ai e ka sjellë në vëmendje Kosovën duke kërkuar trajtim më të drejtë. Pavarësisht kësaj, përpjekja e tij për ta çuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare nga një pjesë vlerësohet, ndërsa nga një pjesë tjetër shihet me rezervë dhe dyshim.
Në Kosovë, emri i Edi Ramës është bërë pjesë e ndarjeve politike. Njëra palë e vlerëson si mbështetje për Kosovën, ndërsa pala tjetër e sheh me dyshim. Shpesh reagimi ndaj tij varet më shumë nga pozicionimi partiak sesa nga vetë qëndrimi që ai mban. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm te një emër i përveçëm, por te mënyra si ne si shoqëri reagojmë ndaj figurave politike.
Krijohet një situatë ku çdo veprim interpretohet në dy mënyra. Nëse flet, akuzohet për interes politik. Nëse hesht, thuhet se nuk e ngriti zërin. Ky është thelbi i fenomenit. Nuk është vetëm çështje e një figure politike, por mënyra si shoqëria shqiptare e lexon politikën sot.
Në Kosovë ekziston një ndjeshmëri e veçantë ndaj çdo deklarimi që vjen nga jashtë kufijve të saj, edhe kur ai vjen nga Shqipëria. Për këtë arsye, çdo fjalë analizohet jo vetëm për atë që thotë, por edhe për atë që mund të nënkuptojë.
Fenomeni që po shohim sot lidhet me besimin dhe dyshimin njëkohësisht. Kosovarët presin shumë nga politika shqiptare, veçanërisht nga kryeministri Rama, por njëkohësisht e shohin atë me rezervë. Kjo bën që reagimet të mbeten të ndara dhe debati të vazhdojë.
Në fund, pavarësisht kontradiktave që sillen rreth figurës së Edi Ramës, nuk janë debatet e ditës ato që e përcaktojnë peshën e tij politike, por historia, e cila do ta gjykojë apo do ta lartësojë emrin e tij. Debatet e momentit shpesh ndikohen nga klima politike, nga emocionet dhe nga ndarjet partiake. Me kalimin e kohës mbeten vetëm faktet, veprimet konkrete dhe ndikimi real që një figurë lë pas. Vetëm atëherë mund të bëhet një vlerësim më i qartë për rolin e tij në raport me Kosovën dhe me politikën shqiptare në përgjithësi.