Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch në një intervistë të zhvilluar së fundmi e ka cilësuar si absurde kërkesën e Prokurorisë për dënim me burgim nga 45 vjet për 4 ish-krerët eUshtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, ai tha se nuk ka prova që argumentojnë pretendimet e ZPS-së për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Bosch thekson që pret nga trupi gjykues të shpallë të pafajshëm dhe t’i lirojë në mungesë provash.
“Kjo është absurde sepse është e barabartë me dënim të përjetshëm. Nëse qëndrojnë 45 vite brenda, ata nuk mbijetojnë dot, do të vdesin në burg. Pra është dënim i përjetshëm. Siç e thashë, është një kërkesë absurde. Por është absurde edhe sepse ka shumë pak prova. Është edhe më e çuditshme të kërkosh diçka të tillë kur ka pak prova.
Edhe nëse UÇK-ja do të ishte organizatë kriminale dhe Thaçi do të ishte kreu e do të jepte udhëzime – gjë që është provuar se nuk është e vërtetë – përsëri 45 vite është shumë. Sidoqoftë, unë duhet t’u besoj gjykatësve. Ajo që i frikësohem është se, nëse gjykatësit e bëjnë punën e tyre siç duhet (i lirojnë), prokuroria mund të apelojë kundër lirimit, që do të thotë se procesi do të vazhdojë edhe për vite e vite të tëra”, thekson ish-ambasadori i Holandës në Kosovë.
Trupi gjykues i cili udhëhiqet nga gjyqtari Çarls Smith, sipas diplomatit holandez, duhet të jetë neutral në vendimin ndaj të akuzuarve.
“Gjykatësit duhet të jenë neutralë. Ata nuk janë e njëjta gjë me prokurorinë. Ndaj shpresoj dhe duhet të besoj se gjykatësit janë vërtet objektivë. Mendoj se nëse janë objektivë, do të thonë se prokuroria ka një rast shumë të dobët. Sipas mendimit tim, ata do ta hedhin poshtë të gjithë çështjen duke thënë:
“Dëgjoni, është një rast shumë i dobët” dhe pastaj ose i lironi për mungesë provash të forta, ose thoni se nuk kanë të bëjnë fare me këtë. Do të habitesha dhe mendoj se gjykata do ta komprometonte veten… dua të them gjykatësit, natyrisht nuk duhet të ushtroj presion mbi ta, por unë besoj se janë njerëz të ndershëm. Në atë rast, bazuar në atë që kam parë, ata nuk mund t’i dënojnë këta njerëz. Nuk mundet. Do të ishte shumë e çuditshme nëse do të shkonin pas prokurorisë”, shton ai për KosovaPress.
Sa i përket protestës më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, Bosch theksoi se kjo është e nevojshme, pasi Kosova po fyhet me pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kriminale.
“Protestat janë perfekte për sa kohë nuk janë të dhunshme. Nuk më pëlqejnë protestat e dhunshme si ajo që patët në Tiranë javën e kaluar, por protestat janë në rregull. Në këtë rast ka vend për protestë, sepse ta quash UÇK-në organizatë kriminale është fyerje për vendin tuaj. Është fyerje”, theksoi Bosch.
- Prokuroria e Hagës kërkon 45 vite burg për ish-komandantët e UÇK-së, Bosch: Absurde, nuk ka prova për dënimin e Thaçit dhe të tjerët - 15/02/2026
- “Haga vendos mbi fatin e heronjve të UÇK-së”/ Gjykimi për akuzat hyn në fazën përmbyllëse - 15/02/2026
- BE i përgjigjet SHBA-ve: Nuk ka shuarje të civilizimit në Evropë, përkundrazi - 15/02/2026