Shkëlqim Hajdari ka marrë zyrtarisht detyrën si Prefekti i ri i Tiranës.
Në fjalën e tij të parë në këtë post, Hajdari ka theksuar se udhërrëfyesi në punën e tij do të jetë ligji, duke premtuar drejtësi dhe shërbim për të gjithë banorët e kryeqytetit pa dallime.
“Do të jem prefekt i të gjithëve, të çdo qytetari që jeton në këtë metropol. Tirana është e fortë vetëm kur banorët janë të bashkuar”, ka deklaruar ai, duke shtuar se kjo detyrë mund të jetë edhe e fundit pas 35 viteve shërbim në administratën shtetërore.
Ai u shpreh gjithashtu se dëshiron të ushtrojë këtë funksion me dinjitet dhe të lërë gjurmë pozitive në kryeqytet.
“Kam mbi 35 vite që shërbej në shtetin shqiptar, por ky pozicion do të jetë më i dashuri ndoshta edhe i fundit. Pikërisht për këtë arsye dua të veproj me dinjitet dhe të lë gjurmë për mirë.”
1 muaj më parë Hajdari ka dhënë dorëheqjen si Kryeinspektor i Përgjithshëm i inspektoriateve në Shqipëri.
Ai ka një karrierë të gjatë në drejtësi dhe administratë publike. Ka shërbyer fillimisht si prokuror në Tiranë nga viti 2002 deri në 2008, ndërsa paralelisht nga 2005 deri në 2012 ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve.
Më pas, nga 2008 deri në 2015, ai ka drejtuar Prokurorinë e Apelit në Tiranë, ndërsa nga 2012-a deri në 2016-ën ka kryesuar Shoqatën Kombëtare të Prokurorëve. Përkohësisht, në vitin 2015-2016 ka shërbyer si prokuror sektori në Shkodër, ndërsa nga 2016 deri në 2026 ka ushtruar detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm.
Përveç karrierës në drejtësi, Hajdari ka shërbyer si kryetar i Asamblesë për Shoqatën Tirana.
- Sula flet si Kryeinspektor: Detyrën nuk e quaj privilegj, por përgjegjësi të madhe - 09/02/2026
- Shkëlqim Hajdari merr detyrën si prefekt i Tiranës: Do lë gjurmë për mirë! Mund të jetë posti i fundit që mbaj - 09/02/2026
- Nuk ka më dyshime! Lewis Hamilton dhe Kim Kardashian në një lidhje, shfaqen bashkë në Super Bowl - 09/02/2026