Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas përleshjeve që ndodhën të shtunën, më 7 shkurt, në Milano gjatë një demonstrate kundër Lojërave Olimpike Milano–Cortina, duke shprehur solidaritet me policinë dhe institucionet vendore.
Në një postim në rrjetet sociale, Meloni theksoi se mijëra italianë janë duke punuar pa u lodhur për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike, shumë prej tyre si vullnetarë, me synimin që Italia të lërë një përshtypje pozitive në arenën ndërkombëtare. Ajo dënoi ashpër protestuesit e dhunshëm, të cilët, sipas saj, po dëmtojnë imazhin e vendit.
“Ka nga ata që punojnë për të siguruar suksesin e Lojërave Olimpike dhe nga ana tjetër janë armiqtë e Italisë dhe të italianëve, që demonstrojnë kundër Olimpiadës dhe bëjnë që këto pamje të qarkullojnë në televizione në mbarë botën. Disa madje kanë prerë edhe kabllot hekurudhore për të penguar nisjen e trenave,” shkroi Meloni, duke e quajtur situatën një akt kriminal.
Kryeministrja shprehu gjithashtu solidaritet të plotë me policinë, qytetin e Milanos dhe të gjithë ata që, sipas saj, rrezikojnë të shohin punën e tyre të shkatërruar nga veprimet e grupeve të dhunshme.
- Presidenti Begaj në Luginën e Preshevës: Shqipëria do të jetë zëri i Shqiptarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre - 09/07/2026
- Shqipëria mikpritëse e Samitit të NATO-s, Minxhozi: Tirana e meriton! Ngjarje botërore për historinë tonë moderne - 08/07/2026
- “U shkel armëpushimi, nuk ka zgjidhje tjetër”/ Irani kërkon njohjen e “rendit të ri” në Ngushticën e Hormuzit, shefi i Pentagonit anulon vizitën në Izrael - 08/07/2026