Në një intervistë të gjatë për La Stampa, politologu dhe historiani amerikan Robert Kagan, një nga intelektualët më të lexuar në SHBA dhe anëtar i lartë i Brookings Institution, ndalet te politika e brendshme dhe e jashtme e administratës Trump, duke u ndalur edhe te ngjarja e fundit në Minneapolis apo operacionet në Venezuelë.

Një pyetje e thjeshtë bën që Kagan të shpjegojë se pse Stephen Miller ka qenë kaq i përfshirë te operacionet ndaj Venezuelës.
Miller është një nga ideologët kryesorë të Trumpizmit të ri, një mbështetës i nacionalizmit dhe një përkrahës i politikave të ashpra ndaj emigrantëve, përfshirë ata ilegalë. Ai mban postin e zëvendëskryetarit të stafit të Shtëpisë së Bardhë për çështjet e brendshme.
Sipas Kagan, arsyeja pse Miller është i përfshirë në Venezuelë është që të krijojë mundësinë për të thënë se SHBA-të janë në një gjendje lufte, edhe pse nuk ka asnjë deklaratë zyrtare.

“Mjafton të lexosh dokumentet më të fundit të Departamentit të Drejtësisë, ku çështja venezueliane përdoret si bazë ligjore për deportimet”, shpjegon Kagan.
Ngjarjet e fundit në SHBA

Pas asaj që ndodhi në Minneapolis, ai shprehet kështu:
Ajo që ndodh aty është mesazhi që Miller dhe administrata duan të kalojnë, është një stërvitje e madhe për të krijuar skena të tilla kudo në SHBA. Administrata ka personelin dhe agjentët e nevojshëm për të vepruar në një klimë emergjence, si në kohë lufte. Besoj, edhe pse nuk mund të parashikojmë saktësisht se kur, që Donald Trump një ditë do të përdorë Insurrection Act (një ligj i SHBA-ve që i jep presidentit autoritetin për të përdorur Ushtrinë amerikane brenda vendit për të shtypur kryengritje, rebelime ose trazira të mëdha), në një nga shtetet ku vepron ICE dhe ku ka protesta. Trump po militarizon politikën e brendshme dhe kjo ka lidhje edhe me Venezuelën, për të justifikuar veprime të forta edhe brenda vendit. Ai ka glorifikuar forcat e armatosura dhe do t’i përdorte edhe në territorin amerikan.
Europa dhe politika e jashtme

Në intervistë, Kagan shpjegon se sipas tij, rendi botëror i ndërtuar rreth Amerikës dhe demokracisë liberale ka përfunduar dhe SHBA-të po ecin drejt autokracisë.
“Ai paralajmëron aleatët evropianë se nuk duhet të kenë iluzione: disa udhëheqës, si Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Merz, kuptojnë situatën, ndërsa të tjerë, si sekretari i NATO-s Mark Rutte, besojnë se duhet të bashkëpunojnë për të penguar veprime më të këqija nga Trump. Mesazhi im për europianët është: ka mbaruar. Nuk mund të rikuperohet asgjë, nuk ka konsulent që mund ta riparojë këtë marrëdhënie”, thotë Kagan.
Ai shton se kjo ndarje është e pakthyeshme.
Nuk jam i bindur se në zgjedhjet e 2026-ës apo presidencialet në 2028-ën do të jenë zgjedhje të lira dhe transparente. Trump sapo ka filluar të mprehë thikën dhe dëshiron ta çojë përballjen me Europën deri në ekstrem, deri në kufijtë e konfliktit.
“Edhe një demokrat nuk ndryshon thelbin”

Sipas Kagan, edhe sikur një demokrat të vijë në pushtet, tendencat nuk do të ndryshojnë.
“Idetë se Amerika nuk ka përfituar nga mbështetja e rendit botëror nuk janë shpikje e Trump. Ka një qasje dypartiake. Edhe Biden ka folur për një ‘politikë të jashtme për klasën e mesme’ duke theksuar se rendi botëror nuk i shërben interesave amerikane. Diferenca është se Trump përdor tarifat si armë për të detyruar vendet të bëjnë çfarë ai dëshiron, ndërsa Biden ka pasur një qasje më të moderuar, por qëllimi është i ngjashëm.”
Një doktrinë e Trump?

Pavarësisht se disa deklarata mbeten në letra, Kagan thekson se në SHBA nuk ndodh asgjë pa vullnetin e Trump.
“Shumë njerëz shpenzojnë shumë kohë për ta kënaqur Trump-in dhe për të përmbushur obsesionet e tij. Ai dëshiron lavdi dhe para. Edhe pse ka shpërndarë një Strategji Kombëtare Sigurie me parimin ‘America First’, ajo që dëshiron është të bëhet perandori i botës. Ai thotë: do ta zgjidhim këtë, do ta ndalojmë luftën në Gaza, do ta bëjmë këtë në Iran; do vendos tarifa…
Nuk ka një doktrinë të qartë strategjike, por ka ideologji: ajo e Stephen Miller dhe ‘America First’, e cila mbështetet te kundërshtimi i liberalizmit. Për liberalizëm kuptohet të drejtat individuale, barazia, demokracia liberale, dhe fatkeqësisht, Europa është simboli i këtyre gjërave dhe për këtë është armiku kryesor jashtë SHBA-ve. Liberalët janë pengesa brenda vendit.”