Kuvendi ka nisur shqyrtimin e më pas do të miratojë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”. Ky projektligj kërkon shumicë absolute votash për miratim.
Një ditë më parë qeveria shqiptare miratoi vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
“Në mbështetje të urdhrit nr. 4, datë 21.1.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë:
1. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes””, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kishte marrë një ftesë personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij. Ky bord do të ketë si mision administrimin e Gazës dhe nxitjen e paqes në rajon.
Rama e cilësoi ftesën si një moment krenarie të veçantë për Shqipërinë, duke theksuar se vendi është ftuar si anëtar themelues i këtij bordi, një arritje që, sipas tij, do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.
Më pas përmes një letre drejtuar Presidentit Trump, Kryeministri Rama pranoi zyrtarisht ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Në letrën e tij, ai shprehu vlerësimin e thellë për angazhimin dhe udhëheqjen vizionare të Trump në themelimin e kësaj nisme dhe e falënderoi për ftesën e drejtpërdrejtë drejtuar Shqipërisë si përkrahëse dhe anëtare themeluese.
Kryeministri theksoi se Bordi i Paqes nuk është thjesht një forum deklaratash, por një instrument i përqendruar dhe i qëllimplotë për ushtrimin e lidershipit dhe përgjegjësisë globale në ndërtimin e paqes.