3.5 C
Tirana
11 / 01 / 2026

Zgjedhjet në Kosovë, çka tregon një fitore mbi 50 përqind të votave

Nga Avni Selmani

Pas 26 vitesh nga përfundimi i luftës dhe më shumë se një dekade e gjysmë shtetësi, për herë të parë në Kosovë një parti politike fiton mbi 50 përqind të votave. Ky fakt është demokratik, pasi zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të drejta, por nuk është i zakonshëm për një shoqëri që pretendon pluralizëm politik dhe për këtë arsye duhet kuptuar siç është.

Pyetja kryesore nuk është pse kjo parti fitoi mbi 50 përqind të votave, por çfarë e çoi shoqërinë deri në këtë pikë. A kemi të bëjmë me një besim të madh qytetar apo me një zhgënjim të thellë të grumbulluar ndër vite. Sepse një shumicë e tillë nuk lind nga entuziazmi, por nga lodhja qytetare dhe mungesa e alternativave politike.

Zgjedhjet nuk u fituan sepse u bind shumica e qytetarëve me ide të reja apo me një program të jashtëzakonshëm. Ato u fituan sepse për vite me radhë u krijua pakënaqësi e thellë ndaj partive që kanë qeverisur më parë. Korrupsioni, keqmenaxhimi, mungesa e përgjegjësisë dhe përsëritja e të njëjtëve emra në poste e shtynë qytetarin drejt një vote ndëshkuese. Në këtë kuptim, fitorja ishte pasojë e pakënaqësisë së akumuluar ndër vite, më shumë sesa miratim i gjendjes aktuale.

Nëse pas kësaj fitoreje nuk reformohet një opozitë e re, serioze dhe e ndershme, me figura të reja dhe jo me ata që e krijuan këtë pakënaqësi dhe këtë zemërim te qytetarët, dhe nëse shoqëria civile vazhdon të heshtë, problemi nuk do të jetë më partia fituese, por mungesa e një alternative politike të besueshme. Atëherë ky 50 përqindësh nuk do të mbahet mend si shpresë, por si paralajmërim që nuk u mor seriozisht.

Për të ndryshuar këtë gjendje, partitë opozitare duhet të bëjnë reforma të thella, të dalin nga inatet personale dhe të jenë bashkëpunuese, sidomos kur është në pyetje interesi kombëtar. Ato duhet të ndërtohen mbi ide konkrete, figura të reja dhe seriozitet politik, jo mbi të njëjtat fytyra që e kanë krijuar këtë pakënaqësi. Prandaj ky rezultat nuk duhet as festuar dhe as demonizuar, por kuptuar si sinjal i qartë për ndryshim në mënyrën se si ndërtohet shteti dhe si funksionon demokracia.

Në fund, problemi nuk është se një parti fitoi mbi 50 përqind të votave, por sepse konkurrenca politike ishte e dobët. Në mungesë të alternativave reale dhe të një opozite të besueshme, rezultati i zgjedhjeve flet më shumë për gjendjen e sistemit politik sesa për suksesin e një subjekti të vetëm. Në këtë udhëkryq gjeopolitik dhe ekonomik, vazhdimi i të njëjtës mënyrë veprimi nga klasa politike nuk është më opsion, por rrezik për të ardhmen e vendit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x