Plani i paqes i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Ukrainën është një dështim për këdo që beson në sundimin e ligjit dhe mbështet sigurinë evropiane. Ndërsa negociatorët vazhdojnë të rishikojnë kushtet, Evropa duhet ta bëjë të qartë se do ta mbështesë Ukrainën në kundërshtimin e çdo marrëveshjeje që shpërblen agresionin rus.
Nga Chris Patten
Nga të gjitha veprimet e pamatura që presidenti i SHBA-së Donald Trump ka ndërmarrë që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, asnjë nuk është më i rrezikshëm se përpjekja e tij për të detyruar Ukrainën të pranojë atë që ai e quan një “marrëveshje paqeje”.
“Plani” fillestar prej 28 pikash i Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – thuhet se është hartuar nga i dërguari special i SHBA-së dhe zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Steve Ëitkoff së bashku me Kirill Dmitriev, kreun e fondit sovran të pasurisë së Rusisë – lexohet si një listë dëshirash e Kremlinit, duke iu nënshtruar çdo kërkese të presidentit rus Vladimir Putin. Negociatorët amerikanë dhe ukrainas e kanë “përmirësuar” që atëherë dokumentin, por propozimi pro-rus i Trump dhe kërcënimi i tij për ta lënë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të “luftojë me gjithë zemrën e tij të vogël” nëse ai nuk i pranon kushtet, duhet të ndezë kambanat e alarmit në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Çdo vëzhgues i arsyeshëm mund të shihte se i ashtuquajturi plan i Trump ishte një dështim. Kërkesa që Ukraina të lëshonte territorin e saj – jo vetëm rajonet e pushtuara aktualisht nga Rusia, por edhe ato që janë ende nën kontrollin e Ukrainës – ishte një shfaqje e paturpshme përbuzjeje për sundimin e ligjit, rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe Evropën. Plani gjithashtu do të kishte shkatërruar aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur. Siç vërejti ish-ambasadori i SHBA-së në NATO, Kurt Volker, ky plan “i paqëndrueshëm” ishte “i destinuar të lindte i vdekur”.
Por edhe ndërsa negociatorët vazhdojnë të rishikojnë kushtet, dhe pavarësisht tonit të kujdesshëm optimist të Ukrainës, Evropa nuk mund të lejojë të ulë vigjilencën. Nëse Putin lejohet t’ia hedhë paq duke vjedhur territorin e Ukrainës, siguria dhe sovraniteti i çdo vendi në krahun lindor të NATO-s – nga Baltiku deri në Detin e Zi – do të jenë në rrezik. Dhe duke pasur parasysh se Rusia tashmë po zhvillon luftë hibride për t’i destabilizuar këto vende, siç tregoi përpjekja për sabotimin e hekurudhës së Polonisë, ky kërcënim nuk është aspak hipotetik.
Për të mos e lejuar Putinin të normalizojë pushtimin territorial, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian duhet ta bëjnë të qartë se ata do ta mbështesin Ukrainën në kundërshtimin e çdo marrëveshjeje që rrezikon sigurinë e saj. Trump mund të hakmerret duke vendosur tarifa të reja ose duke zvogëluar bashkëpunimin ushtarak, por e vërteta e hidhur është se Evropa përfundimisht do të përballet me të njëjtën zgjedhje të vështirë me të cilën përballet sot Ukraina: të pranojë kërkesat e paligjshme të Putinit ose t’i kundërvihet atij.
Kjo nënvizon nevojën urgjente për një rimendim strategjik. Lajkatimi i Trump-it, siç u përpoq të bënte kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, ka dështuar qartë. Me Trump-in, njësoj si me çdo bullizues, sa më shumë ta marrësh me të mira, aq më shumë ai pret që t’i gjunjëzohesh.
Megjithatë, ka disa shenja inkurajuese se republikanët amerikanë kanë rigjetur qëndrueshmërinë e tyre, më së shumti duke sfiduar Trump-in dhe duke këmbëngulur në publikimin e dosjeve të Departamentit të Drejtësisë në lidhje me rrjetin e trafikimit seksual të pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein. Republikanët në Kongres duhet ta shfrytëzojnë momentin aktual për të pohuar se tradhtia ndaj Ukrainës – ashtu si fshehja e dosjeve të Epstein – është thjesht e papranueshme.
Por evropianët, siguria e të cilëve është drejtpërdrejt në rrezik, nuk duhet të presin që republikanët të ngrihen në mbrojtjen e tyre. Tolerimi i tarifave është një gjë; dërgimi i një demokracie të pavarur, edhe pse jo të përsosur, nën kontrollin e Kremlinit do të ishte i barabartë me një version të shekullit të 21-të të Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938.
Ashtu si me Mynihun, qetësimi i Trump ka një pasojë tjetër, edhe më shqetësuese: ajo i jep guxim një udhëheqësi me tendenca autoritare të pamohueshme. Me çdo ditë që kalon, pretendimet se Trump është fashist – të bëra edhe nga ish-aleatët dhe njerëzit e tij të besuar – bëhen më të vështira për t’u hedhur poshtë. Besimi i tij në demokraci është, në rastin më të mirë, i kushtëzuar, dhe nuk ka asnjë provë se ai pranon ndonjë kufizim të pushtetit të vet. Gjatë dhjetë muajve të fundit, ai ka kërkuar vazhdimisht ta përdorë ligjin si armë kundër kritikëve dhe kundërshtarëve të tij, ka sulmuar dhe paditur studio ligjore të pavarura vetëm pse përfaqësonin klientë me interesa të ndryshme nga të tijat dhe ka vënë në shënjestër media dhe universitete.
E gjitha kjo ngre një pyetje themelore: Pse duhet që dikush ta konsiderojë Trump-in si lider të Perëndimit? Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në zgjedhjen e Trump-it në vitin 2016, statusi i Amerikës ishte kryesisht i pakontestueshëm. Megjithatë, ai mbështetej në faktin se presidentët amerikanë – nga Dwight D. Eisenhower në vitet 1950 e deri te Joe Biden – mishëronin në mënyrë të qëndrueshme vlerat dhe idealet e përbashkëta të demokracive në mbarë botën. Trump, presidenti më i keq amerikan i periudhës së pasluftës, i hedh poshtë këto vlera hapur, duke besuar vetëm te pasurimi i vet.
Pak njerëz në Evropë ose në Komonuelth mund të pretendojnë me bindje se vlerat e tyre ngjajnë me ato të Trump-it në ndonjë mënyrë kuptimplote. E them këtë me shumë ngurrim, si një admirues i përjetshëm i SHBA-së. Përvoja ime e parë politike ishte fushata për një kandidat republikan në një garë për kryetar bashkie në Nju-Jork – në një kohë kur republikanët ende mbështesnin tregtinë e lirë, bashkëpunimin shumëpalësh dhe të drejtat civile. Në atë kohë, askush nuk ndihej i detyruar ta “bënte Amerikën përsëri të madhe” sepse ajo ishte tashmë e tillë, dhe bota – përfshirë rivalët e saj komunistë – e dinte këtë.
Sigurisht, kjo ishte para viteve të Trump-it pa ide dhe pa parime. Nëse ndodh më e keqja dhe Ukraina tradhtohet vërtet, Amerika mund të mos e rifitojë kurrë respektin global që gëzonte dikur. Demokracitë liberale, nga ana e tyre, do të bënin mirë t’i kushtonin vëmendje mençurisë së Adlai Stevenson, një kandidat dy herë për president nga Partia Demokratike dhe ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara midis viteve 1961 dhe 1965: demokracitë duhet të jenë të përgatitura jo vetëm të luftojnë për vlerat e tyre, por edhe të jetojnë sipas tyre.
- Mos lejoni që Trump ta shesë Ukrainën - 28/11/2025
- Historia e monumentit të Pavarësisë, skulptori Muntaz Dhrami rrëfen si u realizua para 53 vitesh: Ndryshimet nga letra e Enver Hoxhës dhe aksidenti i babait të Edi Ramës - 28/11/2025
- Video-Lajm/ Festat e 28-29 nëntorit, ndjehen edhe në vendin fqinj. Shqiptarët “pushtojnë” qendrën e Athinës - 28/11/2025