Edhe pse Uashingtoni dhe Pekini kanë shpallur arritjen e një parimi marrëveshjeje tregtare, analistët paralajmërojnë se rruga drejt një stabilizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve është ende e pasigurt.
Fati i dialogut mes dy fuqive do të varet nga takimi që pritet të zhvillohet të enjten në Korenë e Jugut midis presidentit amerikan Donald Trump dhe atij kinez Xi Jinping.
Sipas Yu-Hua Chen, profesor i politikës së jashtme kineze në Universitetin Ndërkombëtar Akita në Japoni, marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë, por prek edhe çështje të ndjeshme gjeopolitike dhe të sigurisë, si konflikti në Ukrainë dhe tensionet përreth Tajvanit.
“Të dy palët kanë interes të stabilizojnë raportet, por Pekini nuk i beson plotësisht Trump-it. Ai shihet si i paparashikueshëm dhe i prirur për të ndryshuar qëndrimet”, thekson Chen.
Eksperti shpjegon se deri më tani SHBA-të kanë arritur të imponojnë ritmin e negociatave: “Sa herë që Trump ka kërcënuar me tarifa, Kina është tërhequr një hap pas. Por kjo nuk do të thotë se Pekini është gati të bëjë lëshime që prekin interesat e tij thelbësore.”
Tajvani, pika më e nxehtë e dialogut
Një nga temat më delikate mbetet çështja e Tajvanit. Në një marrëveshje më të gjerë tregtare, Kina mund të kërkojë që SHBA-të të ndryshojnë formulimin e tyre zyrtar nga “mosmbështetje për pavarësinë e Tajvanit” në “kundërshtim ndaj saj”.
“Ky ndryshim, që në dukje duket semantik, do të kishte pasoja politike serioze dhe do të minonte besimin e Tajvanit ndaj SHBA-ve”, shpjegon Chen, duke shtuar se rreth gjysma e tyre tashmë shprehen skeptikë ndaj angazhimit amerikan për mbrojtjen e tyre.
Ukraina dhe lidhjet me Rusinë
Pjesë e bisedimeve pritet të jetë edhe lufta në Ukrainë. Megjithatë, Chen nuk beson se Xi do të pranojë presionin amerikan për të ndikuar mbi Putinin. “Edhe nëse Kina premton ndalimin e disa blerjeve të naftës ruse, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak midis Pekinit dhe Moskës do të vazhdojë në prapaskenë. Rënia e Putinit nuk është në interesin e Kinës, sepse do ta linte Xi-n të vetmuar përballë Perëndimit.”
Sipas tij, edhe pse Kina dhe Rusia nuk e quajnë njëra-tjetrën “aleate”, në praktikë ato veprojnë si të tilla. Të dyja ndajnë të njëjtin synim strategjik: sfidën e ndikimit global të SHBA-ve.
Udhëtimi aziatik i Trump dhe reagimi i Pekinit
Vizitat e presidentit amerikan në Japoni dhe më pas në Korenë e Jugut dy aleatë të ngushtë të Uashingtonit po ndiqen me kujdes nga Pekini. “Kina mendon se mund të negociojë drejtpërdrejt me Trump, duke e shkëputur nga aleatët e tij rajonalë, por kjo është një iluzion”, paralajmëron Chen. “Japoni, Koreja e Jugut dhe vendet e tjera të Azisë Lindore po punojnë për të ruajtur rendin rajonal në përputhje me interesat amerikane. SHBA-të nuk do të heqin dorë nga roli i tyre dominues në Azi.”