Nga Leonidha Mertiri
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, Partia nacionaliste VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski, fitoi bindshëm në mbi 30 komuna nga 80 prej tyre. Duke përfshirë në aleancën e saj edhe shqiptarët e “VLEN”, ajo mposhti partitë e tjera, mes të cilëve dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit. VLEN fitoi në pesë komuna, sikurse dhe BDI-ja, me shpresën që ky numër të rritet për të dyja në balotazhin e 2 nëntorit në 33 komuna.
Duket që nacionalizmi maqedonas ka marrë krahë. Entuziastët e VLEN, me vlerësimin ndaj “shpirtgjerësisë” së kreut të qeverisë për dhënie më shumë kompetenca pushtetit lokal, por dhe me një kompleks inferioriteti, nuk shohin më tej; mjafton që bëjnë pjesë në qeveri, pavarësisht që në strukturat e ndryshme shtetërore mbahen larg posteve drejtuese, të pabarabartë në pushtetin e përbashkët me nacionalistët e njohur maqedonas. Kjo bën të inkurajohen më tej këta të fundit, sikurse dhe dje, kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, në deklaratën e vetë mburrej, me gjuhë urrejtjeje, që ka shtypur kryengritjen e Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit”. Apo, siç provokon këto ditë deputeti i VMRO-DPMNE dhe kryetar i kësaj partie në Veles, Igor Zdravkovski, duke kontestuar fitoren e kandidatit shqiptar në Çashkë, se “Çashka është zemra e Maqedonisë, është maqedonase dhe duhet të mbetet e tillë”. Kjo bëhet dhe për presion ndaj Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të vendosur ndaj ankesave të VMRO-DPMNE dhe LSDM-së(Lidhja Social-Demokrate Maqedonase)-mosnjohjen e fitores së shqiptarëve. Për interesat maqedonase, kundër shqiptarëve, të dyja partitë e gjejnë në çdo kohë gjuhën me njëra-tjetrën dhe pse LSDM-ja për vite me radhë ka ardhur në pushtet, duke qënë në aleancë me shqiptarët. Dhe çirren e çirren pastaj për “bashkëjetesë ndëretnike”. Mjafton të kujtojmë që në vitet më të hershme, në shtator 1992, kur Maqedonia u bë shtet i pavarur dhe VMRO-DPMNE, edhe pse kishte numër më të madh të deputetëve, nuk e krijonte dot qeverinë e re. Lidhja Social Demokrate ngarkoi liderin e saj Branko Crvenkovski ta formojë atë, e gatshme kjo t’i kalonte deputetë të saj kësaj VMRO-DPMNE-je. Në këto momente të vështira partner kryesor i LSDM-së u bë Partia për Prosperitet Demokratik e shqiptarëve, sikurse ndodhi dhe në vitet e mëvonshëm. Roli i shqiptarve në Maqedoninë e Veriut është i njohur. Çdo defaktorizim i tyre do t’i shërbente dobësimit të shtetit, për forcimin e të cilit Maqedonia e Veriut ka aq shumë nevojë.
Por pyetja, se përse shqiptarët mbetën larg fitores së këtyre zgjedhjeve, nuk do shumë mend për t’iu përgjigjur. Sepse për përfaqësuesit e tyre, qënka shumë e vështirë të bëhen bashkë. Mbetën të përçarë, fatkeqësi nga e cila nuk kemi shpëtuar në kohë të ndryshme. Ndasitë janë bërë zotëruese, për shkak të mospërafrimit të qëndrimeve të partive poltike, duke mbetur jo të mirët e vetes dhe duke i lënë dorë të lirë politikes maqedonase për plotësimin e kërkesave legjitime për barazi reale në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të njëzetekatër viteve më parë. Pozita e tyre nuk mund të forcohet dhe konsolidohet me luftë bërrylash e mëri ndaj njëri-tjetrit apo dhe me temena ndaj pushtetarëve. Këto, së toku me mospërgatitjen e nevojshme për zgjedhje nuk mund të mos ndikonin dhe ndikojnë edhe në zgjedhjet e mëparshme parlamentare dhe në këto të pushtetit lokal.
Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit erdhi në rënie nga ç’pretendohej në këto zgjedhje. AKI, e drejtuar nga kjo forcë politike, deklaronte se këto zgjedhje do të ishin një referendum kundër shumicës qeverisëse e sidomos ndaj VLER-ës, partisë së shqiptarëve, aleates së sotme të VMRO-DPMNE-së. Dhe rezultati? Lë shumë për të dëshiruar pas qëndrimit të saj të gjatë në pushtet. Gjatë këtij rrugëtimi përpjekjet e këtij formacioni dhe të kreut të saj – i njohur ky për merita të veçanta, megjithatë nuk ishin të mjaftueshme për të mbyllur në radhë të parë plagët e përçarjes për afrimin dhe bashkimin e shqiptarëve. Duket sikur kjo ishte e destinuar ta kish vendin vetëm në retorikat e mërzitshme të liderve të partive. Konsumimi i BDI-së – ardhur edhe nga një farë centralizimi të problemeve në duar të vetme të njohura, pa i shtrirë ato përmes një komunikimi të afërt, transparent, pse jo dhe shpirtëror, pa paragjykime me drejtuesit dhe anëtarët e partive të tjera shqiptare.
Kujt mund t’i shërbejnë ndërkohë ecejaket e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni, në krah të partisë VLERA dhe të qeverisë antishqiptare të nacionalistëve maqedonas? I kudondodhur në kohë zgjedhjesh, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Mal të Zi, në Shqipëri. Me hijen e “Prijësit” të parë të të gjithë shqiptarëve. Dhe askush nuk i thotë “ku shkon?” as në Vetëvendosjen e tij dhe as në qeverinë që drejton në Kosovë. Shqiptarët nuk kanë nevojë për nënshtrim dhe përçarje të mëtejshme, por për bashkim të vërtetë. Qeveria shqiptare e ka për detyrë të interesohet për njerëzit e saj kudo qe ata jetojnë, pa bërë sehir ndaj dukurive të mësipërme. Flasim për një strategji konkrete të saj, jo për dekor që as ndez dhe as shuan.