20.5 C
Tirana
25 / 10 / 2025

Ekspertizë që… xhiron bosh?

Nga Selim Belortaja

Ndez TV (jo një stacion por ..të gjitha!) dhe sikur të kesh hapur portat e një dige, të përmbyt vërshimi i …ekspertizës! Eksperta këtej, eksperta andej, info e dije të thella pafund! Të mahnit informacioni befasues e hamendësimet e stërholluara; ato poza kompetence e vetësigurie të Ekspertit, ai picërrim i syve, ajo nënqeshje ekspresive e një njeriu që di shumë po që… nuk po i thotë të gjitha, ai vetëbesim e siguri absolute mbi vërtetësinë e padiskutueshme të gjërave që nxjerr nga goja. Mbushesh me krenari të ligjëshme! Dhe me besim për të ardhmen. Mirpo pastaj të shkund pyetja: si është e mundur?!!! Gjithë ky potencial inteligjence, kaq shumë eksperta -mendje kaq të mprehta e të super-informuara që pulsojnë ditë e natë, këto shpalosje të përnatëshme televizive dhe …prapë çështjet “në terren” të pazgjidhura, pezull?! Cilësia e përfaqësimit politik shqetësuese, ndërsa si standard jetese e mirëqënie prapë… nga fundi i Europës.

Si është e mundur të ndodhë kjo në një vend me zbulues kaq precizë të…çdo zhvillimi, nga pesticidet e bostanit e deri tek detajet e dosjeve kriminale, nga kosto e tunelit e deri tek…konspiracionet e nxehta ndërkombëtare e planetare? Një ekspertizë që informon kaq shumë mbi lëvizje sekrete e plane të nëndheshme, gjëra qe nuk i dijnë saktë as Trampi, as Putini, as Netanjahu, as Makroni e as Meloni – që nuk i dinë madje as edhe shërbimet e tyre inteligjente (por që ekspertët tanë i dinë), mbi aleancat, programet ushtarake, e taktikat e koduara, emrat e gjeneralëve që janë vrarë…bile edhe të atyre që do vriten, përfshi dhe detaje mbi avionët e pakapshëm e armët që përdorin, sa peshojnë, si pëlcasin, sa thellë shpojnë, sa shfarosin…etj.

-Një ekspertizë kaq e plotë pra, patjetër duhet të prodhonte një audiencë shumë të ndriçuar e struktura vendimmarrëse shumë më efikasese e punëmbaruara. Se ekspertiza shqiptare – ndonëse e tepron pak me detajizmin dhe labirinthet që sajon vetë dhe sidomos me fushat e tipit “dua të di gjithshka” ku shtrihet – në pergjithesi është e dobishme e cilësore. Dhe duhet të prodhonte rezultat të ndjeshëm. Si është puna që kjo nuk ndodh? Ka vetëm një shpjegim – sipas meje: nga pikpamja e funksionalitetit, nga ajo se si ndikon dhe çfarë prodhon për jetën e përditëshme duket se ekspertiza jonë ka përfunduar në një… agregat të stakuar. Një “mekanizëm që xhiron bosh!” Nuk është faji i ekspertëve që ky agregat të lëvizë kështu, i shkëputur nga sistemi vendimmarrës e veprues. Por ky është fakti: që sot kemi dy mekanizma te palidhur: politika e qeverisja këtej, ekspertiza andej!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x