Nga Ardi Stefa
Ai që del me fjalime patetike, me programe të marra nga ChatGPT dhe me entuziazëm të importuar?
Ai që duket si karikaturë e demokracisë, por është pjesë organike e sistemit që ndërton këto kulturë e mban promovon antivlerat?
Kujt i shërben kandidati qesharak, (që në vitin 2025 në Shqipëri nuk është aksident) dhe që del në zgjedhje pa asnjë shans, pa program, pa integritet; duke anatemuar të gjithë ata që nuk “janë” me të? Ai i shërben dikujt dhe, zakonisht, i shërben më shumë se një pale.
Kandidati qesharak është dhurata më e bukur që mund t’i bëhet pushtetit dhe sistemit që mezi mbahet në këmbë. Është manekini që bën teatrin e demokracisë, pasqyra ku reflektohet degradimi i politikës, i opozitës, i medias dhe i një shoqërie, që është mësuar të qeshë me talljen që i bëhet e jo ta ndalë.
Kandidati qesharak krijon iluzionin e pluralizmit, idenë e garës, por rezultatin në favor të pushtetit nuk e rrezikon kurrë. Dhe vret kështu shpresën e ndryshimit, transparencës e meritokracisë dhe i jep pushtetit alibinë të hiqet i pastër: “Kishim pluralizëm, kishim garë!”.
Kandidati qesharak është produkt i opozitës që nuk do të fitojë, që nuk mundet të fitojë, që ka frikë nga fitorja, apo që është e kapur nga po ai pushtet që pretendon të rrëzojë.
Kandidati qesharak është alibia e opozitës për të mos bërë opozitë.
Në vend që të mbështesë një figurë serioze, me program dhe integritet, ajo nxjerr për të “ruajtur fytyrën” një emër , që e di paraprakisht se do të humbë.
Bën sikur e mbështet, por në fakt e lë kandidatin vetëm në delirin e tij dhe, për t’u justifikuar akuzon elektoratin, aspak veten, për humbjen: “Ua sollëm kandidat jopolitik, nga shoqëria civile dhe nuk e deshët!”
Por elektorati sot nuk është naiv, ai e refuzon “ndryshimin”e servirur si grotesk politik. Opozita, këtë teatër absurd justifikimesh groteske do ta vuajë kur të tkurret e rrudhet gjithnjë e më shumë, ngaqë refuzuar të ndryshojë, të korrigjohet.
Kandidati qesharak më shumë i shërben vetvetes. Për pak vëmendje, për disa dalje në televizion, për të kënaqur egon apo ambicien e ardhshme politike. Pavarësisht mendimit të madh që ka për veten kandidati qesharak është karikaturë e ambicies. Megjithëse kandidati qesharak e di mirë se në Shqipërinë ku gjithçka shitet lirë edhe më qesharakët mund të gjejnë blerës.
Kandidati qesharak u shërben edhe mediave, të cilat për pak klikime, shikues apo ndërveprime e trajtojnë kandidatin si “çudinë që do bëjë tërmetin politik!”, por që do të harrohet një javë pas zgjedhjeve. Ndërkohë sistemi që prodhon kandidatin qesharak mbetet.
E ftojnë nëpër studio për intervista; e bëjnë protagonist për një ditë. Dhe… “fshati qesh e bota tallet…”
Kështu funksionon cirku politik shqiptar: çdo qesharak ka pesë minuta famë, që mjaftojnë për të mbuluar turpin e partive të mëdha, fatkeqësisht sot të opozitës shqiptare.
Dhe, ndërsa të gjithë qeshin, jo nga humori, por nga pafuqia, shumë pak veta pyesin: “Nga e gjithë kjo tollovi e tallava kush fiton? Dhe, kush humbet realisht?”