16.5 C
Tirana
18 / 10 / 2025

“Kushtetuesja” shpalli vakancë për vendin e Sonila Bejtjas, Berisha: Puçi kushtetues u përgatit nga mafiozi Sokol Sadushi

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar sot në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila tha se mandati i  anëtares Sonila Bejtja përfundon në vitin 2025, duke hapur vakancën për vendin e saj.

Për Berishën ky vendim i Kushtetueses është joligjor, teksa e quan si një ‘shkelmim të Kushtetutës’.

“Dje është regjistruar shkalla më ekstreme e keqshfrytëzimit, keqadministrimit, keqpërdorimit të Kushtetutës, institucioneve kushtetuese të vendit dhe kjo është bërë me një vendim që do regjistrohet në muret e kohës, vendimi më i turpshëm në jurisprudencën e këtij vendi.

Do regjistrohet si akti më skandaloz i monstrës sorosiane, reformës sorosiane të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e ligjit të saj. Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e opinioneve zyrtare të Komisionit të Venecias.

Gjykata Kushtetuese bëhet notere e një serie veprimesh antikushtetuese, antiligjore të eksponentit më kryesor të mafies në drejtësinë shqiptare, me emër Sokol Sadushi dhe presidentit antikushtetues, presidentit më të padenjë në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë.

Dje, për të larguar nga Gjykata Kushtetuese armiken Sonila Bejtja, gjykatëse kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj.

Përcaktimi i Kushtetutës në nenin 125, pika 6, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj, është transkriptuar, është mishëruar në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, neni 86, pika 4, në të cilin sanksionet: Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë.

Pra, përtëritja me një të tretën, siç parashikon Kushtetuta, ligjvënësi e ka quajtur të drejtë ta mbajë gjer në vitin 2022. Cilido që kishte kundërshti për këtë përcaktim të ligjit, që është ligj organik, të Gjykatës Kushtetuese, kishte të drejtën t’i drejtohej parlamentit, i cili mund të amendonte ligjin. Por këtë nuk e bëri as Sadushi, edhe njëherë, i marrë peng nëpërmjet vetingut, të cilin në kundërshtim me Kushtetutën nuk e bëjnë publike, e mbajnë në sirtar fshehtë KLGJ-ja. Ne sigurisht do e bëjmë publike. Qoftë vetë Bajram Limioni.

Por edhe Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit jo opinion për kandidaturat, se nuk ka asnjë tagër parlamenti për këtë, siç veproi, por kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit si ligjvënës të përcaktonte qëndrimin ndaj legjislacionit, i cili sa kohë është në fuqi, është në zbatim”, tha Berisha.

Tani, këtu kemi, përveç kësaj, nuk po citoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, të qëndisur nga Sadushi, se ai nuk meriton të citohet nga asgjë në aktet e jurisprudencës, për sa kohë është autori i një puçi të vërtetë brenda institucioneve.

Çfarë thotë Komisioni i Venecias: Duhet të hiqen vitet fikse të fillimit dhe mbarimit të mandateve 9-vjeçare.
Gjyqtarët Kushtetues duhet të gëzojnë një mandat të plotë 9-vjeçar. Sonila Bejtja ka filluar detyrën në vitin 2020. Jashtë çdo lloj dyshimi, përveç rrethit të kuq si armike e narkoshtetit, ajo nuk mund të prekej gjer në vitin 2028.

Dhe vazhdon Komisioni i Venecias: Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë mandat të plotë 9-vjeçar, edhe nëse janë mbledhur me njëfarë vonese. Ose nëse marrin një mandat që është ndërprerë para kohe. Sonila Bejtja është zgjedhur dhe mori mandatin e Besnik Muçit, i cili u detyrua brenda një muaji apo dy të dorëzojë mandatin. Dhe është zgjedhur për një vend që ishte vakant që nga viti 2016.

Por sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, sipas opinionit të Venecias, sipas vetë Kushtetutës, mandati i saj nuk mund të ndërpritej. Kushtetuta thotë se mandati fillon kur bëhet betimi.
Por këtu gjykatësit kushtetues nuk kanë Kushtetutë. Presidenti ka xhepin dhe nuk ka Kushtetutë. Sadushi ka kodin e mafies dhe nuk ka Kushtetutë. Kurrë ndonjëherë shteti shqiptar nuk është fyer dhe poshtëruar si dje.
Por ç’punë ka Gjykata Kushtetuese të interpretojë për veten e vet? Dhe pse? Sepse i thotë Bajram Limioni.
E kuptoni ju? Kjo është zero tolerancë ndaj mendimit ndryshe.

Zero tolerancë ndaj pakicës. Sepse e vërteta është, duhet ta pranojmë, zonja Bejtja ishte një zë i pavarur, një zë që nderonte parimin themelor të një sistemi. Ata që mendojnë se këtu po bëhet avokati politike, gabojnë rëndë. Jo, po bëhet avokati për rendin kushtetues dhe kushtetutshmërinë. Po për sa i përket opozitës, me atë përbërje që ka Gjykata Kushtetuese, me njerëz të marrë peng, nuk ka dyshim se Edi Rama do diktojë çdo gjë.

Ju i patë kërcënimet që bëri? Një ditë më para, njeriu që nuk ka ligj, nuk ka Kushtetutë apo moral, presidenti që në çdo vend të botës, Kushtetuta e ndalon të ushtrojë asnjë detyrë tjetër publike apo private përveç asaj të presidentit, dhe ky ushtron detyrat e xhepit, shkon dhe punon në privat duke shkelur në mënyrë flagrante nenet e Kushtetutës.

Jo një, por dy nene, shpirtin e saj. Ky i turrej me tërbim Gjykatës Kushtetuese me fyerje, brutalitet se ato vendosën të anulojnë dekretin e tij për Erion Veliajn dhe natyrisht, duhet të themi këtu, relatore për këtë çështje ishte Sonila Bejtja.”, shtoi ai

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x