12.5 C
Tirana
16 / 10 / 2025

A mund të harrohet Dritëroi?

Nga Ermal Peçi

Më 13 tetor, një dritë ndizet çdo vit në kujtesën tonë kombëtare, dritë që mban emrin Dritëro Agolli. Ai që për dekada u quajt “shkrimtari i popullit”, “poeti i njerëzve të thjeshtë”, “njeriu që dinte të fliste me tokën dhe qiellin njësoj”. Dritëroi nuk shkroi për t’u lexuar në podiume, por për t’u ndjerë në shpirt. E megjithatë, sa shpesh ndodh që e kujtojmë vetëm me një status në rrjete sociale?

Të hënën që lamë pas, në “N’Dritëro Book”, një hapësirë që e ka kthyer kujtimin në frymë, u mblodhën miq, bashkëkohës, lexues dhe admirues të tij dhe madje u pi verë dhe raki e mirë! U lexuan poezi, u risollën kujtime dhe, në mes të zërit poetik të mbrëmjes, pati një heshtje që foli më shumë se çdo fjalë. Ishin ata që e kishin njohur nga afër, shokët e vjetër të Dritëroit, që nuk i ndalën dot lotët kur në ekran u shfaq fytyra e tij.

Dritëroi nuk ishte thjesht një shkrimtar, ishte një kujtim i gjallë i një Shqipërie që, edhe pse e mbytur në komunizëm, ai me natyrën dhe penën e tij i dha mesazhe të qenësishme shoqerisë, si romani “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo”.

Por a mjafton kjo? A mjafton një mbrëmje poetike për të mbajtur gjallë një emër si Dritëro Agolli? A nuk është detyrim moral i shtetit që figurat e mëdha të letërsisë shqiptare të mos lihen vetëm në kujtesën e miqve dhe të nipërve, por të kthehen në institucione kujtese e kulture për brezat që vijnë?

Kujtimi i Dritëroit nuk është luks, është detyrë. Është borxh që shlyhet me respekt, me aktivitete, me hapësira që frymojnë kulturë, me libra që ribotohen e lexohen në shkolla. Dritëroi ishte dhe mbetet njeriu që i dha zë shpirtit shqiptar, që përktheu dashurinë, dhimbjen dhe ironinë tonë kombëtare në vargje që nuk plaken.

Është e dhimbshme që shpesh kujtohemi për njerëzit e mëdhenj vetëm kur dikush organizon diçka private, në një qoshe ku dashuria për letërsinë jeton ende. Në fakt kur shteti duhet të jetë i pari që organizon, nxit dhe kujton, sepse nëse harrojmë Dritëronë dhe të ngjashmit e tij, kë do të kujtojmë?

Dritëroi na la veprat e tij si testament për një shoqëri, por na la edhe çdo fjalë të tij, si të ishte një gur në themelin e shpirtit tonë kombëtar.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x