12.5 C
Tirana
16 / 10 / 2025

Fenomeni palestinez, heshtja përballë krimit

Nga Avni Selmani

Në shekullin 21, në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, po ndodh diçka që njerëzimi nuk duhej ta shihte më kurrë, një popull po zhduket para syve të botës.

Ne shohim çdo ditë fotografi të rrënojave, fëmijë të nxjerrë nga gërmadhat, qytete të rrafshuara dhe njerëz që nuk dinë ku të shkojnë. I shohim dhe vazhdojmë ditën tonë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ky është turpi ynë.

Palestinezët po përballen me krim. Nuk është konflikt i zakonshëm, është krim kundër njerëzimit që shihet. Dhe ne e dimë, sepse pamjet janë para syve tanë. Heshtja jonë nuk është pafajësi, është servilizëm. Dhe kjo sjellje legjitimon krimin.

Shpesh e fshehim me fjalët është luftë, është politikë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Por këto janë vetëm justifikime. Faktet janë të qarta, fëmijë të vrarë, spitale të shkatërruara, shkolla të rrafshuara, qytete të zhdukura nga harta. Bota hesht, heshtim edhe ne.

Edhe ne si popull e dimë se çfarë do të thotë të kërkosh ndihmë dhe të injorohesh. E kemi përjetuar padrejtësinë dhe dhimbjen, por sot, kur një popull tjetër kalon nëpër të njëjtën gjë, bota hesht, heshtim edhe ne. Kjo e rrit edhe më shumë turpin e mospërgjigjes sonë.

Ne nuk mund të themi se nuk e dimë. Sot çdo gjë shihet në kohë reale, çdo fotografi dhe çdo pamje na vjen në telefon e në televizor. Heshtja nuk është se nuk po e dimë se çka po ndodh, sepse kemi zgjedhur të mos flasim. Dhe kjo zgjedhje shpesh na bën servilë ndaj më të fortit.

Kjo nuk është çështje politike. As nuk ka lidhje me religjionin. Është çështje njerëzore. Të drejtën për jetë dhe dinjitet nuk mund t’ia mohosh një populli dhe ta mbulosh me fjalë boshe. Kur një popull vritet, dëbohet dhe shkatërrohet, dhe bota bën sikur nuk sheh, kjo është turp për të gjithë ne.

Ky është momenti i fundit kur bota duhet të ndalet dhe të reflektojë, dhe të ndalë këtë tragjedi njerëzore e cila nuk ka mbarim. A.S

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x